Albi Xhunga: Non grata apo në pranga ?

Më të fundit



Ka shumë zëra publikë që parashikojnë një listë të gjatë me personalitete politike, mediatike apo edhe të botës së biznesit që do të shpallen non grata nga administrata Biden. Në krye të kësaj liste ka ‘’nderin’’ të jetë shkëlqesia e tij, presidenti i republikës. Sulmet e tij ndaj ambasadores amerikane dhe injorimi haptazi nga zoti Philip Reeker, i cili nuk gjeti kohë në axhendën e tij për një takim me kreun e shtetit, e përforcojnë këtë ide. E megjithatë ky skenar duket i pamundur. 

Administrata amerikane ka vite që investohet në reformimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Vizitat e ambasadores Yuri Kim në zyrat e SPAK janë më të shpeshta se vizitat e saj në të gjitha institucionet shqiptare të marra së bashku. Amerikanët shprehin hapur besimin e tyre në institucionet e drejtësisë së re dhe ftojnë edhe shqiptarët të kenë besim në to. Mirëpo nevoja për të shpallur një listë non grata me persona të korruptuar dhe deklaratat e vazhdueshme se drejtësia e re funksionon, nuk mund të qëndrojnë së bashku. Nëse amerikanët kanë një listë personash të përfshirë në afera të rëndësishme korrupsioni (dhe sigurisht që ata e kanë një listë të tillë), nuk kanë pse t’i shpallin ata non grata. Mjafton që provat kundër tyre të depozitohen në SPAK dhe çështja është e zgjidhur. 

Nëse skenari amerikan i spastrimit të skenës politike shqiptare do të ishte me anë të demaskimit publik të shpalljes non grata, ata nuk kishin pse investoheshin për vite me rradhë në reformimin e sistemit të drejtësisë. Ndërsa shpallja sot e një liste non grata do të thoshte se plani A i funksionimit të drejtësisë së re ka dështuar dhe kjo bie ndesh me qëndrimet e deritanishme të administratës Biden, e cila nuk resht së shprehuri besim dhe mbështetje për drejtësinë e re. 

Çështja e Sali Berishës është një përjashtim, është një shembull për të treguar forcën e tyre në Shqipëri, është një lehtësim për SPAK ndaj personit që ka bërë shiun dhe diellin në Shqipëri për tre dekada. Jo më kot në fund të deklaratës që e shpallte atë non grata ftoheshin institucionet shqiptare që ta hetonin. Dhe institucionet shqiptare po e hetojnë. Çështja e 21 janarit është hapur. 

Natyrisht nuk duhet ngatërruar shpallja non grata me të qenit non grata. Shumë personalitete politike të Tiranës, por edhe të tjerë të fushave të ndryshme, nuk shkelin dot në tokën amerikane, por kjo nuk do të thotë se do të shpallen të tillë. Jo çdo hajdut në Tiranë meriton të trajtohet publikisht nga Departamenti i Shtetit. Me ta duhet të merret SPAK. Qytetarët shqiptarë janë më të interesuar të shohin se historia e pandëshkueshmërisë ka marrë fund në Shqipëri, janë më të interesuar t’iu kthehet gjëja e vjedhur me anë të sekuestrimit të pasurive të vëna në mënyrë të pistë, sesa të dinë se X person nuk shkon dot në SHBA. Në vjeshtë duhet të presim procese penale dhe vënie prangash, jo lista non grata. Përndryshe të vetmit që meritojnë të shpallen non grata nga SHBA-të, janë prokurorët e SPAK që nuk bëjnë detyrën.



Skip to toolbar