Albin Kurti kërkon dënimin e autorëve të masakrës së Reçakut

AKTUALITET


E gjithë Kosova përkujton të mërkurën 21-vjetorin e masakrës së Reçakut dhe vrasjen me gjakftohtësi nga forcat serbe të 45 civilëve të pafajshëm. Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka zhvilluar homazhe mëngjesin e së mërkurës tek varrezat e dëshmorëve ku tha se është detyrim i institucioneve vendore që të gjithë ata që urdhëruan dhe kryen këtë masakër të dënohen.

Ndërsa u shpreh se Masakra e Reçakut ndërgjegjësoi botën demokratike dhe solli ndërhyrjen e NATO-së, Kurti tha se drejtësia e mohuar paraqet krim të vazhdueshëm ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës.


“Lajmi për Masakrën e Reçakut e tronditi dhe tmerroi Kosovën por e ndërgjegjësoi dhe alarmoi botën demokratike dhe diplomacinë ndërkombëtare. Masakra e Reçakut ishte vendimtare që NATO ta bombardonte Jugosllavinë e Millosheviçit. 21 vite më vonë nuk ka drejtësi për viktimat dhe familjet dhe kjo drejtësi e mohuar paraqet krim të vazhdueshëm ndaj njerëzve tanë, popullit tanë, ndaj shtetit tonë, është obligim i institucioneve vendore dhe i partnerëve tanë ndërkombëtarë që të sjellim drejtësi, të shtojmë trysni mbi Serbinë ashtu që të gjithë kriminelët që ekzekutuan dhe ata që urdhëruan masakrën e Reçakut të nxirren para proceseve gjyqësore dhe të dënohen”, tha Kurti.




Skip to toolbar