“Antikorrupsioni”, Felaj në Real Story: Nismë që erdhi si reflektim i progres-raportit të fundit për Shqipërinë

Më të fundit


Kuvendi ka miratuar këtë të enjte me 74 vota pro dhe 6 kundër ngritjen e Komisionit të posaçëm për reformat, një nismë e PS e propozuar përmes rezolutës kundër korrupsionit të miratuar këtë të hënë në Kuvend. Mazhorancës i mjaftuan votat e saj për të miratuar këtë nismë, të mbështetur edhe nga ndërkombëtarët, të cilët kanë bërë apel për pjesëmarrje nga të gjitha palët politike.

Lidhur me këtë ka folur në emisionin “Real Story”, nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj, e cila ka deklaruar se nisma antikorrupsion nuk është vetëm reforma në drejtësi, por ka dhe nisma të tjera, për shembull dexhitalizimi i shërbimeve.

Ajo ka theksuar se kjo nismë erdhi si reflektim i progres-raportit të fundit për Shqipërinë.

“Ne do vazhdojmë të marrim disa nisma siç kemi bërë që në vitin 2013 deri më sot. Nisma antikorrupsion, nuk është vetëm reforma në drejtësi, nisma më e madhe në luftën antikorrupsion, por ka dhe nisma të tjera, për shembull dexhitalizimi i shërbimeve është një nismë e mirëfilltë antikorrupsion, ligji i dekriminalizimit është një ligj që ne e kemi miratuar së bashkuar. Unë kam qene protagoniste e shkrimit të atij ligji bashkë me Oerd Bylykbashin, rrethanat i njoh shumë mirë. Nismat janë disa dhe fenomeni nuk është një fenomen që ka ngjyrë.

OFL ishte një nismë shumë e rëndësishme, mbi bazën e të cilës vazhdon të ketë ende procedime që hetohen nga prokuroria e posaçme. Erdhi si një akt normativ, që u miratua nga parlamenti.

Megjithatë të kthehemi te pyetja fillestare, edhe në rastin që u soll rezoluta në kuvendin e Shqipërisë dhe mua mu desh të mbaja një fjalë, e kam thënë që problemi më i madh që ne vuajmë është që shumica e kolegëve deputetë nuk lexojnë dhe nuk e kam thënë këtë me cinizëm, por si një konstatim real, që nuk lexojnë. Kështu që unë bie dakord, kur thoni që shumëkush nuk e di rezolutën dhe ajo vota abstenuese dhe qendrimet e mbajtura deri në ditën e shprehjes së votës abstenuese nga ana e opozitës tregon qartë që thjesht kanë kërkuar të duken politikisht mirë, ose korrekt politikisht dhe për faktin që trupi i huaj diplomatik e gjeti si një nismë të mirë, e cila i ofron Kuvendit të Shqipërisë një bazë ku palët ndërpartiake të mund të ndërveprojnë dhe të ndërmarrin ato reforma që ne i kemi cilësuar si reforma që modernizojnë shtetin dhe për hir të së vërtetës të kërkosh që në vend të sundojë ligji, të kërkosh që të përmirësohet cilësia e qeverisjes dhe të jesh gjithnjë dhe më shumë luftarakë ndaj korrupsionit që është një fenomen i të gjitha shoqërive dhe jo vetëm i shoqërisë shqiptare, besoj se ka lindur si fenomen i shoqërisë njerëzore, nuk mund ta mohojmë këtë gjë.

Kjo nismë erdhi si reflektim i progres-raportit të fundit për Shqipërinë dhe si një reflektim i të gjitha atyre gjetjeve që na afroi si mundësi procesi screening. Kuvendi i Shqipërisë që asistohet nga organizata të rëndësishme ndërkombëtare, për sa i takon komponentit të luftës për korrupsion është marrë në shqyrtim”, u shpreh Felaj./abcnews.al



Skip to toolbar