Anulohet takimi Kosovë-Serbi, reagon DASH: Kosova dhe Serbia t’u kthehen bisedimeve

AKTUALITET


Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar pas anulimit të takimit të planifikuar të zhvillohej në 1 korrik mes përfaqësuesve të lartë të Kosovës dhe Serbisë.

Në një deklaratë dhënë Zërit të Amerikës, DASH thekson se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë që të përkrahin dialogun, të cilin e ndërmjetëson Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”.


Në një deklaratë me shkrim nga Departamenti i Shtetit, theksohet që “Beogradi dhe Prishtina duhet të largojnë pengesat, t’i shmangin provokimet dhe t’u kthehen bisedimeve”.

“Ne jemi të gatshëm që t’i dëgjojmë dhe ndihmojmë të dyja palët dhe BE-në, si ndërmjetësues, që të gjejnë zgjidhje, për të cilën do të pajtohen të gjithë”, kanë thënë nga Departamenti amerikan i Shtetit për Zërin e Amerikës.

Takimi në Paris, i paralajmëruar që të zhvillohej në datën 1 korrik, ku përfaqësuesit e lartë të Kosovës dhe Serbi do të takoheshin në prani të presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelares gjermane, Angela Merkel. Ky takim është shtyrë për afat të pacaktuar dhe kryeministri i Kosovës Haradinaj i pyetur për këtë është shprehur se “nuk i di arsyet pse takimi është shtyrë, ndërsa ka theksuar se Kosova mbetet partner serioz në bisedime”.

Kosova dhe Serbia ka ndërprerë prej muajsh dialogun mes tyre për shkak se qeveria e Kosovës vendosi një taksë mbi mallrat serbe, e cila kundërshtua ashpër nga qeveria e Serbisë e cila vendosi më pas që të pezullojë bisedimet. Por qeveria e Kosovës, pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtareve është shprehur e vendosur të mos heqë dora nga taksa derisa Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës.




Skip to toolbar