Asociacioni/ Kurti i përgjigjet Ramës: Jo tekste paralele, pa u dakordësuar në parim

KOSOVA


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë sot se vizionin e tij për draft-statutin e Asociacionit do të konkretizonte nëse ka pajtueshmëri në parim për shtyllat e tij.

Kurti, në seancën e sotme plenare ka thënë se nuk mund të shkruajë statutin e Asociacionit dhe pastaj të kërkohet një kompromis për atë, pa pasur në fillim pajtim për parimet e tij.


Ai ka përsëritur mospajtimin me draftin e statutit të Asociacionit, të hartuar nga ish-ekipi menaxhues, të cilin Kurti e ka shkarkuar. Kurti ka thënë se vizioni i tij i prezantuar është bazuar në modelin kroat për pakicat kombëtare.

“Vizioni për draft-statutin e Asociacionit do të konkretizonte nëse ka pajtueshmëri në parim për shtyllat e tij. Qeveria ime nuk është pajtuar me draftin e ekipit menaxhues pasi imitonte në përmbajtje dhe formë Republikën Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë. Tani e tutje mund të diskutojmë në kuadër të dialogut të Brukselit për zbatimin e nenit shtatë të marrëveshjes sipas vizionit tim të prezantuar në Bruksel, i cili prezanton shkronjën dhe frymën e Kushtetutës së Republikës sonë, konsensusin trans-atlantik të vlerave demokratike dhe liberale”

Ndryshe, kryeministri shqiptar, Edi Rama ka deklaruar se e ka dorëzuar një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, te presidenti francez Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz. Për këtë dokument, ai ka thënë se i ka vënë në dijeni edhe presidentin e Këshillit Evropian dhe amerikanët. Rama ka thënë se drafti është i punuar nga ekspertë dhe sipas tij pret që i njëjti të vlejë për të çuar në një nivel tjetër dialogun Kosovë-Serbi.




Skip to toolbar