Atentati në Peqin, policia sekuestron pamjet filmike, autorët, pjesë e një grupi kriminal

AKTUALITET


Policia ka sekuestruar pamjet filmike të kamerave të bizneseve të zonës ku u krye atentati ndaj Andi Zylyfit në fshatin Përparim të Peqinit. Falë pamjeve filmike mësohet se policia ka zbuluar makinën që kanë përdorur autorët e vrasjes së Zylyfit ndërsa policia mendon se ata janë pjesë të një grupi të strukturuar kriminal. Atentatorët dyshohet se kanë aktivitet tē fuqishëm të paligjshëm kryesisht në trafikun ndërkombëtar të drogës. Ekzekutimet e viteve të fundit të kryera në Elbasan lidhen me larjen e hesapeve mes grupeve kriminale.

Krimet e Rënda kanë nisur tashmë një hetim për ngjarjen e rëndë, ku po hetojnë për lidhjet e viktimës, apo edhe të Ardit Uruçit, i cili mbeti i plagosur në atentatin e mbrëmshëm. Andi Zylyfi kishte vetëm një ditë që ishte kthyer në Shqipëri. Ai u ekzekutua me breshëri kallashnikovi, ndërsa shoku i tij mbeti i plagosur.


Lidhur me ngjarjen janë shoqëruar 10 persona nga policia për t’u marrë në pyetje ndërkohë që vetë Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka shkuar në qytetin e Elbasanit për të ndjekur nga afër aksionin e policisë.

26-vjeçari Andi Zylyfi mbeti i vrarë mbrëmjen e së premtes në aksin Elbasan-Peqin, në fshatin Përparim, ndërkohë që u plagos rëndë 23-vjeçari Ardit Uruçi. Dyshimet e policisë janë se atentati ndaj tyre është bërë për larje hesapesh mes bandash. Viktima ka lidhje familjare me Endrit Alibej e Arben Dylgjeri, të cilët mbetën të vrarë në një atentat në Bradashesh të Elbasanit, një vit më parë.

Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur më 29 dhjetor të 2018 kur në atentat humbën jetën Endrit Alibej 34-vjeç, Arben Dylgjeri 56 vjeç, si dhe një shtetas turk Erdal Duranay. Konkretisht, Andi Zylyfi ishte, djali i hallës së Endri Alibej, ku ky i fundit u ekzekutua një vit më parë për pazare droge.




Skip to toolbar