Avionët amerikanë godasin grupin e lidhur me Iranin që sulmoi trupat amerikane në Irak

BOTA


Presidenti Joe Biden urdhëroi ushtrinë amerikane që të ndërmarrë sulme hakmarrëse kundër grupeve të armatosura të mbështetura nga Irani, pasi tre ushtarë amerikanë u plagosën nga një sulm me dron në Irakun verior.

Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Adrienne Watson, tha se një nga ushtarët amerikan ishte plagosur rëndë nga sulmi që ndodhi në orët e para të ditës së hënë, shkruan VOA.


Grupi i armatosur i mbështetur nga Irani, ‘Kataib Hezbollah’ dhe grupet e lidhura me të, nën një ombrellë të militantëve të mbështetur nga Irani, morën përsipër sulmin me dron.

Zyrtarët irakianë thanë se sulmet ajrore amerikane ndaj grupeve të armatosura vranë një militant dhe plagosën 18 të tjerë herët të martën. Sulmet vinë ndërsa është shtuar droja lidhur me rrezikun e përhapjes së një konflikti rajonal si pasojë e luftës së Izraelit kundër Hamasit.

Irani njoftoi të hënën se një sulm izraelit në periferi të kryeqytetit sirian të Damaskut vrau një nga gjeneralët e tij kryesorë, Razi Mousavi, i cili kishte qenë një mik i ngushtë i gjeneralit Qassem Soleimani, ish-kreu i forcave iraniane elitë. Soleimani u vra në Irak nga një sulm amerikan me dron në janar të vitit 2020.




Skip to toolbar