AZHBR shtyn afatin e aplikimeve për programin IPARD II

AKTUALITET


AZHBR dhe Ministria e Bujqësisë shtyjnë afatin e aplikimeve në kuadër të programit IPARD II. Shtyrja e afatit wshtw konfirmuar zyrtarisht nga një Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, e cila vë në dijeni se aplikimet do të dorëzohen vetëm në zyrat qendrore të AZHBR-së në zarfe të mbyllura.

Sipas njoftimit të AZHBR, “afati për Dorëzimin e Aplikimeve, në kuadër të Programit IPARD II, nga Instrumenti i Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA) për Zhvillimin Rural (IPARD) me qëllim zhvillimin e Sektorit Agro-Ushqimor për thirrjen e dytë, shtyhet deri më 15 janar 2020”.


“Të gjitha aplikimet duhet të dorëzohen vetëm në zyrat qendrore të AZHBR-së në zarfe të mbyllura me titullin Thirrje për Dorëzimin e Aplikimeve, së bashku me titullin e masës, emrin e plotë dhe adresën e aplikantit dhe me shënimin ‘Të mos hapet përpara dorëzimit’, deri në datën 15 Janar 2020, sipas orarit zyrtar 08:00 -16:30”, deklaron AZHBR.

Po ashtu, AZHBR ka shpjeguar se aplikimet duhet të dorëzohen nëpërmjet dërgesës postare rekomande, ose dorazi (duke përfshirë shërbimet korriere) direkt në Autoritetin Kontraktues në këmbim të  një mandati dorëzimi me firmë dhe datë nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Rruga “Muhamet Gjollesha”, Nr.56 Tiranë, Shqipëri.

“Aplikimet e dërguara nëpërmjet çdo mënyre tjetër (p.sh. me faks apo e-mail) apo të dërguara në adresa të tjera do të refuzohen”, thekson AZHBR, e cila gjithashtu vë në dukje se çdo aplikim i mbërritur në AZHBR pas datës 15 Janar 2020 do të refuzohet.

Thirrja është e hapur për të gjithë (persona fizikë dhe juridikë), puna dhe veprimtaria e të cilëve zhvillohet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, në fushat e prodhimit bujqësor, agropërpunimit dhe zhvillimit rural, nga data 30 Tetor – 15 Janar 2019. Buxheti i përgjithshëm në dispozicion të kësaj thirrje është 57.68 milion EURO nga të cilat 75% ose 43.26 Milion EURO kontribut i BE dhe 25% ose 14.42 Milion EURO kontribut i buxhetit të shtetit.

Siç dihet, Programi IPARD II, nga Instrumenti i Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA II) për Zhvillimin Rural (IPARD), kontribuon me 94 Milionë Euro, fonde nga BE dhe Qeveria Shqiptare, për harkun kohor 2014-2020, me qëllim zhvillimin e sektorit agro-ushqimor. Programi IPARD II ka objektiv dhe prioritet mbështetjen e investimeve në sektorin agro-ushqimor, përmirësimin e konkurrencës, pajtueshmërisë me standardet e BE-së, mbështetjen e investimeve në zonat rurale me qëllim diversifikimin e ekonomisë rurale dhe krijimin e biznesit, duke çuar në përmirësimin e mundësive të punësimit dhe përfshirjes sociale.  “Më shumë informacion mbi programin IPARD II, Udhëzuesin për Aplikantët, anekset shoqëruese që përcaktojnë kriteret dhe procedurën e aplikimit, mund të gjenden në faqen e internetit të AZHBR; www.azhbr.gov.al; www.ipard.gov.al; www.bujqesia.gov.al”, deklaroi AZHBR.




Skip to toolbar