Është mbyllur në barazim 1-1 sfida e parë gjysmëfinale e Europa League mes Frankfurt dhe Chelsea, me ndeshjen e luajtur në stadiumin “Commerzbank-Arena”.
Me ndeshjen e mbrëmjes të së enjtes, Chelsea arrin rekordin e Barcelonës në këtë kompeticion, pasi në udhëheqjen e Roman Abramovic, skuadra londineze luajti gjysmëfinalen e nëntë në Europa League, që prej vitit 2003.
“Shqiponjat” e Frankfurtit kanë kaluar të parët në avantazh me Luka Jovic, i cili realizoi një gol të bukur brenda zonë në minutën e 23′ të takimit.
Chelsea ka reaguar dhe në përfundim të pjesës së parë ka barazuar shifrat me Pedro, duke vulosur edhe rezultatin e takimit. Sulmuesi spanjoll ka shënuar 4 gola dhe ka përgatitur 3 të tjerë në gjashtë ndeshjet e fundit të Europa League.
Në pjesën e dytë, mundësitë për të shënuar golin e avantazhit ishin për Chelsea-n, por lojtarët e Sarri-t kanë shpërdoruar shumë. Në fund, anglezët duhet të kënaqen me një barazim në Gjermani dhe do të mundohen të marrin një fitore në Stamford Bridge.