Nuk kanë fund lajmet e kqija për Barcelonën këtë fillim sezoni. Pasi u mund në ndeshjen e parë të La Ligas nga Atletiko Bilbao, duke humbur Luis Suarez që u dëmtua gjatë lojës, si dhe në mungesë të Lionel Messit, i dëmtuar në stërvitje disa ditë më parë, skuadra katalanase ka humbur dhe një tjetër lojtar.
Ousmane Dembele do të mbetet të paktën pesë javë jashtë ekipit “Blaugrana”, pasi të hënë gjatë stërvitjes është dëmtuar. Lajmin e ka dhënë klubi i Barçës në faqen zyrtare, duke trishtuar jo pak tifozët. Kështu, Barcelona humbet tre nga sulmuesit kryesor të ekipit, Messi, Suarez dhe Dembele.
Francezi u aktivizua gjatë ndeshjes me Atletiko Bilbao, duke e nisur si titullar takimin, pavarësisht se nuk arriti të linte përshtypje në skuadër. Ky është dëmtimi i pestë në karrierën e sulmuesit francez. Në fillim të transferimit të tij te Barcelona, për shkak të një dëmtimi, Dembele humbi 20 ndeshje me skuadrën, ndërsa në fund të sezonit të kaluar, ai mbeti katër javë jashtë fushe për shkak të dëmtimeve në ligament.