Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha bëri një lëvizje të papritur mbrëmjen e të premtes, duke njoftuar nëpërmjet zyrës së shtypit emërimin e një Këshilltari për Sigurinë Kombëtare. Këtë detyrë, kryeopoziari Basha, ia beson gjeneral Piro Ahmetaj, një ushtark karriere që ka ushtruar funksione të ndryshme në ushtrinë shqiptare. “Këshilltari i ri për Sigurinë Kombëtare i kreut të opozitës ka kryer detyra të larta shtetërore brenda dhe jashtë vendit, ku spikat detyra 6 vjecare si përfaqësues ushtarak në NATO”, thuhet nga njoftimi i PD.
Po sipas këtij njoftimi, në CV e tij, Piro Ahmetaj mban prej 36 vitesh uniformën ushtarake. Nga këto, 25 vjet, ekspert, në funksione të larta dhe kontribute të spikatura në reformën e mbrojtjes, planifikimin strategjik dhe integrimit në NATO; 6 vjet Këshilltar Ushtarak i Presidentit të Republikës, ZvëvendësShef i SHPFA, si dhe 6 vjet Përfaqësues Ushtarak në NATO-s.
“Gjeneral Ahmetaj spikat si themelues dhe drejtues i Përfaqësisë Kombëtare në Komandën Supreme të Aleancës, ku ka demostruar përgjegjshmëri të lartë për të përmbushur detyrimet e anëtarësimit në NATO (prill 2009); përgjatë negocimit dhe nënshkrimit të disa marrëveshjeve mirëkuptimi dhe marëveshjeve teknike për anëtarësimin e plotë, nënshkruar në Tiranë (Shtator 2013), duke kontribuar në renditjen e Shqipërisë si ‘një ndër 5 vendet model për reformat e mbrojtjes dhe përmbushjen e angazhimeve në NATO”, thuhet në njoftimin e PD.
Gjeneral Piro Ahmetaj ka kryer studime “Master në fushën e sigurisë globale”, Kolegji i NATO-s në Romë, ndërsa aktualisht ndjek programin e doktoraturës. Në Tetor 2019 ka dalë në rezervë nga shërbimi aktiv në Forcat e Armatosura.