Lëvizja “Basha ik”, Elezi: Harruam zgjedhjet fals të PDSH, pse të mos harrojmë 30 qershorin?!

Kritikët e Luzlim Bashës i kutjojnë përsëri kryedemokratit zgjedhjet e 30 qershorit. Ibsen Elezi, ish-kreu i PD në Kukës, ka shkruar një status në rrjetin social, ku shprehet se “30 Qershori si vazhdim i marrëveshjes së 17 majit”. Në këtë koment, ai vijon duke u shprehur se “demokratët harruan vitin e zi 2017, dhe tashmë do harrojnë 30 qershorin”.

“Mos kini merak, se ashtu si harruam vitin e zi 2017, ashtu do harrojmë edhe 30 qershorin. Harruam 5 skandalet e 2017, marrëveshjen e fshehtë të 17 majit, listën e 140 deputetëve pa asnjë standard, fushatën e shitur 3 javore të “Republikës së  Re” dhe të zhdukjes së simboleve të PD, me një humbje katastrofike, moskryerjen e procesit të analizës pas një humbje të rëndë, duke shkelur çdo normë statusore, zgjedhjet fals për kryetar të PDSH dhe manipulimin e turpshëm të pjesëmarrjes. Pse të mos harrojmë dhe 30 qershorin dhe 60 bashkitë e shitura në tavolinë?!”, shkruan Elezi.

Ibsen Elezi, është pjesë e lëvizjes “Basha Ik”, e cila do të fillojë së shpejti dhe ka si synim mbajtjen e zgjedhjeve brenda PD, dhe një proces të thellë analize. Kësaj lëvizje, paralajmëruar nga Realstory.al, i janë bashkuar shumë figura të Partisë Demokratikë, që kanë pasur rol të rëndësishëm dikur, si ish-kryeparlamentarja në kohën që PD ishte në pushtet, Jozefina Topalli, apo ish nr.2 i kësaj partie, Arben Ristani, dhe shumë ish-ministra e deputetë.

Lëvizja “Basha ik”, a po paralajmëron Grida Duma mbështetjen e saj?

Grida Duma është shfaqur këto ditë të fundit pushimesh në një intervistë televizive, për emisionin “Treshat”, në Vizion Plus (një emision veror), ku të nxehtit të gushtit, i ka rritur ‘temperaturat’ me disa deklarata të forta politike. Grida Duma ka sulmuar klasën politike në vend, duke e akuzuar se ‘ka prishur garën dhe meritokracinë’.  “Mungon gara reale në shkolla, mungon gara në administratë, gare për një vend pune, mungon gara e ndershme mes bizneseve, mungon gara për tu rritur në një vend pune, mungon gara e mendimeve në politikë, mungon dhe gara reale me zgjedhje të lira mes partivë dhe brenda partive politike…. një mungesë meritokracie që prodhon mediokritet dhe ndalon zhvillimin e shoqërisë përvecse pamundëson rritjen e individit të spikatur, te formuar!”.

“Ne do t’i qajmë gjatë garuesit më të mirë, që kemi humbuar, ata që e kanë lënë Shqipërinë edhe duke pranuar që ta nisin garën nga një nivel më poshtë, vetëm e vetëm që të provoheshin t’ia dilnin. Shkuan atje ku nuk i njeh askush, ku nuk i pret askush, atje ku nuk njohin ndoshta as gjuhën as kulturën, por prapë shkojnë se kanë besim tek vetja se ia dalin; këta njerëz kemi humbur ne! Ata që ia dalin!”, ka thënë ndër të tjera Duma, duke konfirmuar në fakt, se mesazhi i saj shkon direkt për partitë politike, “dhe nuk jam këtu për të folur vetëm për mungesën e garës në votime, ajo është vetëm maja e ajsbergut, mungesa e garës është në çdo element të jetës, dhe madje duhet thënë që në përgjithësi nuk ka garë në vetë organizatat politike”.

Po përse e bën Grida Duma një deklaratë të tillë? Në janar të këtij viti, pa nisur aksioni opozitar, kryedemokrati Lulzim Basha bëri disa ndryshime në sekretariate. Në mënyrë të papritur, ai la pa post Grida Dumën, që mbante rolin e  drejtueses për Marrëdhëniet me Publikun në PD, dhe Ervin Salianjin, mik i Dumës, që gjithashtu mbante postin e Aksionit Qytetar. Në këto kushte, Duma dhe Salianji u shfaqën shumë të mërzitur në janar të këtij viti, teksa ish-deputetja demokrate do të deklaronte se “vlerësohem nga demokratët”. Në kushtet kur lëvizja “Basha ik”, që ka në fokus zgjedhjet në PD, e shprehur publikisht nga nismëtarët e kësaj lëvizje, deklarata e Grida Dumës në një kohë të tillë, duket sikur indirekt mbështet këtë lëvizje. Në fakt, këtë nuk mund ta themi, por fakti që Grida Duma ka folur gjatë për zhdukjen e ‘garës’ dhe ‘meritokracisë’ brenda partisë, në vigjilje të nisjes së kësaj lëvizje, lë të kuptosh edhe një mbështetje të heshtur të saj ndaj kësaj lëvizje, ashtu si shumë drejtues të lartë të PD.

Por në fakt, ky argument merr përgjigje nga vetë Grida Duma, e cila më poshtë ka deklaruar edhe ambiciet e saj në politikë. Duket se ka një ngjashërmi të pikëpamjes së saj me atë të lëvizjes “Basha ik”, që kërkojnë ‘fitoren e grupit, dhe jo të një individi’. “Kam vetëm një qëllim në politikë jo një post, jo një status, por të bëjmë të mundur të fitojë grupi, shoqëria dhe Shqipëria, duke shtruar rrugën për më të aftët dhe duke bërë rregulluar që të mos fitojë vetëm njëri! Të zhdukim kulturën e njëshit, “unë jap unë marr unë vë në heq” kjo e ka shkatërruar atë vend plotësisht. Grupi, njerëz të rinj që marrin përgjegjësi dhe bashkëpunojnë”, ka thënë Grida Duma./Realstory.al/

“Basha Ik” nis “para” kohe, Kulluri: Ballë teje në çdo cep të vendit

Edvin Kulluri lajmëron nisjen sa më parë të lëvizjes “Basha IK” në PD, ndërsa shkruan se shumë shpejt ai dhe shumë të tjerë do të nisin fushatën në çdo cep të Shqipërisë me kërkesën për largimin e Bashës nga posti i kryetarit të PD-së.

Përmes një mesazhi postuar të enjten, Kulluri sqaron të gjithë militantët kritikë të PD-së, të cilët i shkruajnë në facebook se përmes opozitës që i bën Bashës, ai ndihmon qeverinë; se “të jesh kundërshtar i Bashës në parti, nuk do të thotë të jesh kundër opozitës”.

Përkundrazi, shkruan Kulluri, opozita shkon përtej Lulzim Bashës dhe vendimeve të tij anti-perëndimore dhe s’mund të përdoret më prej tij, njeriu që bën marrëveshje me Ramën.

Kulluri i dërgon një mesazh Bashës teksa shkruan se vazhdon të mbajë pas vetes vetëm shërbëtorë që i përdor sa herë do, por ai dhe shumë të tjerë së shpejti do të nisin fushatën kundër tij në çdo cep të Shqipërisë.

“Për të gjithë viktimat e propagandës banale të Bashës dhe matrioshkave më të vogla partiake dhe portaleve akoma më të vogla: të jesh kundërshtar i Bashës në parti, nuk do të thotë të jesh kundër opozitës! Populli opozitar është shumë më i madh dhe i ndershëm se Lulzim Basha! Populli opozitar është kundër arrogancës dhe arbitraritetit Rama-Basha! Populli opozitar është kundër marrëveshjeve të fshehta Rama-Basha! Populli opozitar nuk adhuron klounët Rama-Basha! Populli opozitar nuk është klient i oligarkëve të dyshes Rama-Basha! Populli opozitar nuk është anti-perëndimor si çifti Rama-Basha! Populli opozitar është i ndershëm, kërkon zgjidhje, qeverisje të mirë dhe nuk përdoret si “mish për top” nga Rama-Basha! Mbani këta shërbëtorët tuaj, ushqejini me helm propagande dhe përdorini si të doni! Mua dhe njerëz të tjerë që nuk kanë ndërmend t’ju shërbejnë na keni dhe do na keni përballë! Shumë shpejt do takohemi në çdo cep të Shqipërisë!”, shkruan Kulluri, ish anëtar i Komitetit Drejtues të PD-së dhe ish këshilltar i Berishës në qeverinë e tij.

Realstory ka njoftuar disa javë më herët se në shtator do të nisë lëvizja Basha IK dhe siç duken të gjitha gjasat janë që kjo lëvizje të startojë menjëherë, ndërsa shumë zëra i janë bashkuar asaj, duke nisur nga Edvin Kulluri, Jozefina Topalli, Arben Imami, Ibsen Elezi e të tjerë figura të PD-së që kanë mbetur të zhgënjyer nga Basha dhe vendimet e tij që nxorrën PD-në jashtë çdo pushteti. Mbetet për t’u parë në këtë drejtim, se cili do të jetë qëndrimi që do të mbajë Berisha në lidhje me këtë lëvizje, duke qenë se ai ia la “peshqesh” Bashën PD-së. Deri tani lideri historik ende nuk ka mbajtur asnjë qëndrim në lidhje me akuzat kundër Bashës, ndërsa realstory referuar burimeve të saj ka shkruar më herët se ekziston një ftohje e marrëdhënieve mes Berishës dhe Bashës dhe se “baca” nuk e preferon më atë në krye të PD-së, por një emër tjetër që gëzon mbështetjen e amerikanëve./Realstory.al

“Basha ik”: Lëvizja shton emra të tjerë

Realstory.al lajmëroi në një shkrim exclusiv se në shtator, pritet të ketë një reagim të fortë brenda të djathtës, e cila do të kthehet në një lëvizje “Basha ik”. Në shkrimin e realstory.al (lexo këtu), emrat e parë që pritet të bashkohen në këtë nismë, do të jetë Jozefina Topalli, Arben Imami, Edit Harxhi, Edvin Kulluri dhe shumë të tjerë. Të gjithë emrat e më sipërm, më herët kanë shprehur qëndrimin e tyre kritik kundër Lulzim Bashës, duke dhënë kështu shenjat e para të lëvizjes “Basha ik”, që sipas burimeve tona, pritet të marrë jetë në fillim të shtatorit. Realstory.al ka mësuar se pjesë e kësaj lëvizje do t’i shtohen emra të rinj, pjesë e të cilës janë edhe ish-drejtues të tjerë të lartë të Partisë Demokratike, ish-ministra dhe deputet në kabinetin e Berishës.

Ata janë ish-drejtues në nivele ministrash, deputet apo drejtues në nivel vendor të Partisë Demokratike, gjatë kohës që kjo forcë është drejtuar nga Sali Berisha. Arben Ristani (ish-deputet dhe Sekretar i Përgjithshëm i PD), Ibsen Elezi, Keltis Kruja (ish-deputet i PD), Sherefedin Shehi (ish-deputet dhe kandidat i bashkisë Dibër për PD), Myqerem Tafaj (ish-ministër i Arsimit në kabinetin Berisha), apo Bislim Ahmetaj dhe Genti Minarolli.   

Fillimisht, i kontaktuar nga RealStory.al, Ristani tha se është ende në fazë bisedash dhe ende nuk ka një vendimmarrje, por të premten me një status në rrjetet sociale Ristani e bëri publik faktin duke konfirmuar se ka një lëvizje brenda bazës dhe se në shtator “Basha Ik’ do të bëhet një lëvizje reale. Pas kritikave që i bëri sërish kryedemokratit Basha për mos pasjen e një strategjie për arritjen e një fitore, Ristani thotë se kjo gjë duhet të diskutohet mes demokratëve se çfarë do të bëjnë dhe se me kë do e bëjnë që PD të arrijë fitoret e saj. “Ta bisedojmë edhe një herë me demokratët çfarë do bëjmë, si do e bëjmë, me kë do e bëjmë, kur do e bëjmë, të jetë e gjitha transparente dhe gjithëpërfshirëse dhe me vullnet dhe dëshirë, ta bëjmë betejën për Shqipërinë europiane.”- shkruan Ristani në Facebook.

Ibsen Elezi , një prej anëtarëve që pritet të jetë pjesë e rëndësishme e kësaj lëvizje, i tha Realstory.al, se “ne do dalim dhe me dokument, kemi dalë njëherë me “lëvizjen për shpëtimin e PD-së”, në 2018 që firmosën rreth 2000 anëtar. Tani do shkojmë në rrethe (në bazë) dhe do kërkojmë proces zgjedhor të hapur për të ballafaquar pikëpamjet”.

Një nga emrat që pritet t`i bashkohet kësaj lëvizje por nuk ka dashur të bëhet ende publik, i tha Realstory.al, se është duke u diskutuar rreth kësaj nisme, por ende nuk është krijuar një platformë konkrete. “Kjo nuk është situatë e re. Ne kemi shprehur mendimet tona shumë herët. Unë nuk jam angazhuar publikisht shumë këtë periudhë, pasi kam dashur të shoh se çfarë do ndodhë. Sigurisht që diskutojmë, është pjesa e jona, por as nuk kemi ravijëzuar as kemi rakorduar ndonjë gjë të saktë. Na shqetëson situata, dhe unë kam rezervuar që ta shpreh qëndrimin tim në një moment të dytë. Normalisht ka biseda, ka rrahje mendime, unë e kam vendosur që do shprehem në një moment të dytë, jo tani”.

Ndërkohë, në shkrimin e publikuar më parë nga Realstory.al, dilema kryesore ishte qëndrimi që do të mbajë Sali Berisha në këtë proces. Në fakt, lideri historik i PD-së ka heshtur deri tani, duke mos bërë asnjë deklarim publik për atë që po ndodhë në partinë që e ka drejtuar për më shumë se dy dekada. Megjithatë, shpeshtimi i takimeve mes zëdhënëses së tij dhe Jozefina Topallit, sigurisht takime miqësore, të lë të mendosh se lëvizja do të ketë dhe një ‘bekim’ nga Berisha, ose të paktën nuk do të jetë pengesë. /RealStory.al

‘Basha ik’, Elezi: Ta largojmë me garë

Zërat kundër Lulzim Bashës janë shtuar brenda Partisë Demokratike. Realstory.al mësoi ekskluzivisht se në shtator, nis lëvizja “Basha ik” (lexo këtu lajmin). Shumë ish demokratë në nivele të larta drejtuese në këtë parti, tashmë kanë dalë hapur kundër kreut aktual të PD. Jozefina Topalli ishte e para, që kërkoi largimin e Bashës fill pak orë pas mbylljes së procesit zgjedhor të 30 qershorit (lexo këtu), ndërsa më pas dolën me radhë shumë ish-drejtues të PD, si Edvin Kulluri, Arben Imami, Ibsen Elezi, Arben Ristani etj.

Ndërkohë, lëvizja “Basha ik”, pritet të mos shoqërohet thjesht me një proces-kërkese për largimin e kryedemokratit, por me një tjetër proces, atë të reformimit total të Partisë Demokratike. Ibsen Elezi, në një koment të gjatë në rrjetet sociale, shkruan se është “kundër” dorëheqjes së Lulzim Bashës, pasi sipas tij, dorëheqja nuk është e parashikuar në Statutin e PD, ndërsa nëse do të vinte si ndienjë e vetë Bashës, do të ishte tjetër gjë. Megjithatë, për Ibsen Elezin, ish-kryetar i PD në Kukës, Basha nuk është fajtori i vetëm, por gjithë grupi që e ka mbështetur.  

“Të veçosh Bashën si fajtorin e vetëm që duhet kryqëzuar, nuk ëhstë burrnore, është tipar i trashëguar nga komunizmi të gjesh armikun dhe jo të zgjidhësh problemin. Basha nuk është i vetëm, ai përfaqëson një grup me pikëpamje të deklaruara dhe të fshehura. Pra problemi me Bashën nuk është çështje individi, por çështje grupi dhe pikëpamjesh. Dorëheqja e tij nuk do ishte zgjidhje, por zanafilla e një rruge tjetër pa krye”, shkruan Elezi. Por cila është zgjidhja? Sipas ish-kryedemokratit të Kukësit, zgjidhja është mbledhja urgjente e Këshillit Kombëtar të PD-së nga kryetari i tij, Bujar Nishani, dhe nisja e një procesi analize dhe vlerësimi, për dy dështimet e mëdha të aksionit opozitar të Partisë Demokratike, dorëzimin e mandateve dhe bojkotin nga 30 qershori.

Në këto kushte, pas analizës, PD duhet të zhvillojë zgjedhjet për votëbesimin e lidershipit nga anëtarësia. “Dështimi i dy aksioneve të fundit politike: dorëzimi mandateve dhe rrëzimi qeverisë me 1 protestë të pandërprerë; zgjedhjeve të 30 qershorit të pasuara me dhënien në tavolinë të 61 bashkive, detyron urgjent Këshillin Kombëtar (Bujar Nishani si drejtues i tij) që të kërkojë proces analize dhe vlerësimi, duke konluduar në dështimin e dy aksioneve politike dhe hapjes së një procesi votëbesimi të lidreshipit nga anëtarësia”, shkruan Elezi, ndërsa shprehet se Basha duhet të jetë pjesë e procesit të garës në zgjedhjet e brendshme të partisë.

Skip to toolbar