“Basha Ik” nis “para” kohe, Kulluri: Ballë teje në çdo cep të vendit

AKTUALITET


Edvin Kulluri lajmëron nisjen sa më parë të lëvizjes “Basha IK” në PD, ndërsa shkruan se shumë shpejt ai dhe shumë të tjerë do të nisin fushatën në çdo cep të Shqipërisë me kërkesën për largimin e Bashës nga posti i kryetarit të PD-së.

Përmes një mesazhi postuar të enjten, Kulluri sqaron të gjithë militantët kritikë të PD-së, të cilët i shkruajnë në facebook se përmes opozitës që i bën Bashës, ai ndihmon qeverinë; se “të jesh kundërshtar i Bashës në parti, nuk do të thotë të jesh kundër opozitës”.


Përkundrazi, shkruan Kulluri, opozita shkon përtej Lulzim Bashës dhe vendimeve të tij anti-perëndimore dhe s’mund të përdoret më prej tij, njeriu që bën marrëveshje me Ramën.

Kulluri i dërgon një mesazh Bashës teksa shkruan se vazhdon të mbajë pas vetes vetëm shërbëtorë që i përdor sa herë do, por ai dhe shumë të tjerë së shpejti do të nisin fushatën kundër tij në çdo cep të Shqipërisë.

“Për të gjithë viktimat e propagandës banale të Bashës dhe matrioshkave më të vogla partiake dhe portaleve akoma më të vogla: të jesh kundërshtar i Bashës në parti, nuk do të thotë të jesh kundër opozitës! Populli opozitar është shumë më i madh dhe i ndershëm se Lulzim Basha! Populli opozitar është kundër arrogancës dhe arbitraritetit Rama-Basha! Populli opozitar është kundër marrëveshjeve të fshehta Rama-Basha! Populli opozitar nuk adhuron klounët Rama-Basha! Populli opozitar nuk është klient i oligarkëve të dyshes Rama-Basha! Populli opozitar nuk është anti-perëndimor si çifti Rama-Basha! Populli opozitar është i ndershëm, kërkon zgjidhje, qeverisje të mirë dhe nuk përdoret si “mish për top” nga Rama-Basha! Mbani këta shërbëtorët tuaj, ushqejini me helm propagande dhe përdorini si të doni! Mua dhe njerëz të tjerë që nuk kanë ndërmend t’ju shërbejnë na keni dhe do na keni përballë! Shumë shpejt do takohemi në çdo cep të Shqipërisë!”, shkruan Kulluri, ish anëtar i Komitetit Drejtues të PD-së dhe ish këshilltar i Berishës në qeverinë e tij.

Realstory ka njoftuar disa javë më herët se në shtator do të nisë lëvizja Basha IK dhe siç duken të gjitha gjasat janë që kjo lëvizje të startojë menjëherë, ndërsa shumë zëra i janë bashkuar asaj, duke nisur nga Edvin Kulluri, Jozefina Topalli, Arben Imami, Ibsen Elezi e të tjerë figura të PD-së që kanë mbetur të zhgënjyer nga Basha dhe vendimet e tij që nxorrën PD-në jashtë çdo pushteti. Mbetet për t’u parë në këtë drejtim, se cili do të jetë qëndrimi që do të mbajë Berisha në lidhje me këtë lëvizje, duke qenë se ai ia la “peshqesh” Bashën PD-së. Deri tani lideri historik ende nuk ka mbajtur asnjë qëndrim në lidhje me akuzat kundër Bashës, ndërsa realstory referuar burimeve të saj ka shkruar më herët se ekziston një ftohje e marrëdhënieve mes Berishës dhe Bashës dhe se “baca” nuk e preferon më atë në krye të PD-së, por një emër tjetër që gëzon mbështetjen e amerikanëve./Realstory.al




Skip to toolbar