Basha: Opozita është sot mazhoranca absolute

Më të fundit


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i është bashkuar protestës tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit” rreth 30 minuta pas nisjes së saj. Gjatë fjalës së tij Basha tha se kjo nuk është një betejë për pushtet, por për të larguar njëherë e përgjithmonë krimin dhe korrupsionin që ka mbërthyer vendin në çdo cep të tij.

“Ligje antikushtetuese për të vjedhur ju, vogëlushët tuaj, studentët, pensionistët. Mungesa e Gjykatës së Lartë, ku ka gjyqe dhe jo drejtësi. Gjykata e Lartë me 40 mijë dosje nuk jep dot drejtësi sepse është shkatërruar me themele. Vota është themeli i demokracisë, nuk ka demokraci pa zgjedhje të lira. Kjo qeveri është pengesa numër një për demokracinë, për ekonominë e të gjithë shqiptarëve. Me Edi Ramën nuk ka shtet, nuk ka zhvillim, nuk ka punësim, por vetëm krim, korrupsion, shkatërrim të perspektivës dhe shpresës. Me zërin tim deklaroj vullnetit tim dhe tuajin, të partive opozitare, të gjithë koalicionit të shumicës reale, “Rama ik”” – tha Basha


Basha tha gjithashtu se mijëra qytetarët që kanë dalë në shesh sot kanë treguar njëherë e përgjithmonë se ato janë mazhoranca absolute. Ai tha se nuk do ketë asnjë marrëveshje me qeverinë e korruptuar.

“Sot koalicioni i opozitës është koalicion i mazhorancës absolute. Që sot e tutje ju (qeveria) nuk jeni më shteti, por antishteti. Ju nuk jeni ligji, jeni antiligji. Nuk jeni drejtësia, por padrejtësia. Që sot sovrani i derdhur në këtë shesh është ligji, drejtësia dhe shteti. Vëllezër dhe motra, kjo protestë e 9-ta është prova pse Shqipëria këto 8 javë ka ndryshuar. Banda e Ramës që është pasuruar me djersën tuaj duan t’ju bëjnë të besoni se kjo nuk është një betejë e vërtetë, por thjeshtë një betejë e radhës që do zgjidhet me marrëveshjen e radhës. Dua të deklaroj sot me zërin tim në emër të të gjithë opozitës se nuk do të ketë marrëveshje. Nuk jemi këtu për kalkulime elektorale, por për ju, pavarësisht bindjeve politike.” – tha Basha




Skip to toolbar