Partia Demokratike ka vendosur se do të ketë protesta në të gjithë Shqipërinë, kudo që të shkojë Rama, duke kulmuar më 30 qershorin, për të mos lejuar procesin e zgjedhjeve. Këtë e ka deklaruar vetë kryedemokrati Basha gjatë mbledhjes së zhvilluar në selinë Blu me partitë e opozitës dhe me ish deputetët, ku kërkoi nga strukturat e partive opozitare që të ketë mobilizim sa më të madh qytetar.
Gjatë takimit Basha ka cilësuar se zgjedhje nuk do të ketë më 30 qershor dhe u ka kërkuar krerëve të bashkive opozitare një revokim i listave të zgjedhësve. Lulzim Basha ka kërkuar që të bllokohet procesi zgjedhor në të gjitha bashkitë ku drejtojnë të zgjedhurit e djathtë.