Basha qetëson demokratët: Reformën nuk e dikton Rama. Objektivi, largimi i tij

AKTUALITET


Ishin të shumtë demokratët që mbetën në zhgënjyer nga ulja e PD-së në tryezë me PS-në për reformën zgjedhore, me në krye Damian Gjiknurin i akuzuar për blerjen e votave dhe u duk se kjo lëvizje e opozitës ishte kthim pas; por kreu i PD-së, Lulzim Basha qetësoi demokratët duke thënë se objektivi i vetëm i tij dhe i opozitës së bashkuar është largimi i Ramës nga pushteti dhe kthimi i votës së lirë. Basha tha të mërkurën në një konferencë për shtyp se pas miratimit të reformës zgjedhore synimi tjetër do të jetë zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare të parakohshme në të njejtën ditë me zgjedhjet lokale. Basha theksoi gjithashtu se PD vendosi të bëhej pjesë e tryezës me përfaqësues të qeverisë dhe opozitës parlamentare pas presionit që ndërkombëtarët ushtruan ndaj maxhorancës dhe kur kjo e fundit pranoi kushtet e vëna nga opozita që reforma të kryhej në një tryezë jashtë parlamentit dhe të kishte konsensusin e të gjitha partive.

“Garantoj qytetarët shqiptarë, demokratët mbështetësit e opozitës, të zhgënjyerit nga partia e tyre, se procesi ka një dhe vetëm një qëllim të kthejë lirinë e votës, që çdo shqiptar të vendosë për qeverinë që do, parlamentin që do, e t’i shkarkojë ato me votë, siç ndodh kudo në rajon. Kjo betejë nuk bëhet as për karriget tona, as fatet tona politike. Sakrifica e mandateve të djegura, solli atë që çdokush mund ta konsideronte të pamundur, vetë ndërgjegjësimin e perëndimit, se Shqipëria ka nevojë për ndihmë.


Mos kini asnjë dyshim, është vetëm fillimi i një beteje që do të konsiderohet e fituar kur të kemi nje qeveri e Parlament të dalë nga vota e qytetarëve.

Për opozitën objektivi politik është i qartë, largimi një orë e më parë i kësaj qeverie me zgjedhje të lira e të ndershme, që do i paraprijë një reformë zgjedhore.

Kushti i parë është miratimi i reformës zgjedhore. Është i vetmi kusht ku opozita ka një rol për të luajtur, dhe e ka luajtur me vetëdije të plotë, në shërbim të një interesi të vetëm, të qytetarëve shqiptarë. Po të ishte për interesa meskine kishte dhjetëra rrugë të tjera, që i kemi refuzuar me përbuzje. Kurrë s’ka qenë më ulërtise kërkesa për ndryshim. Ditë për ditë zbulohen kryebashkiakë me rekorde kriminale, qytetarët bien viktima të sundimit të krimit. Rruga e vetme për të dalë është të bashkojmë forcat, e çdo force politike, qytetari, pensionisti, shoqëri civile, studenti, për të vendosur edhe këtu ato standarde.

E gjitha kjo është produkt i bashkëjetesës së politikës me krimit, dhe grabitjes së gjithçkaje, nga një grusht njerëzish. Kjo është partia e babëzisë. Mundja e tyre, dhe shporrja nga zaptimi i institucioneve është synimi i vetëm i opozitës”, tha Basha.

Por a ka marrë garanci nga kryeministri Edi Rama se pas miratimit të reformës zgjedhore me konsensus do të mbahen zgjedhje të parakohshme? Me përgjigjen e tij Basha la të kuptohet se kjo nuk ka ndodhur, por se zgjedhjet e parakohshme mbeten objektiv i opozitës së bashkuar.

“Garancia e vetme që vendi të normalizohet janë qytetarët. Nëse qytetarët largohen dhe e lënë në dorë të Ramës, injorantëve, përdhunuesve, trafikantëve, atëherë nuk ka faktor ndërkombëtar që mund të bëjë diçka. Ka një opozitë të bashkuar që jemi në mazhorancë numerike, dhe synojmë të jemi mazhoranca politike një orë e më parë”, tha Basha.

Kreu i PD-së theksoi disa herë se reforma zgjedhore që do të dalë nga tryeza e përbashkët e partive nuk do të diktohet nga qeveria, por produkti përfundimtar duhet të ketë konsensus të plotë dhe në fund parlamenti vetëm do certifikojë dokumentin final.

Të martën opozita jashtë parlamentare mori pjesë me dy përfaqësuesit e saj, Petrit Vasilin dhe Oerd Bylykbashin, në një tryezë për reformën zgjedhore, e cila u zhvillua jashtë ambienteve të parlamentit por pjesëmarrës ishin dy bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari. Më herët PD kishte vendosur si kusht largimin e Gjiknurit nga realizimi i reformës zgjedhore dhe madje edhe përjashtimin e Rudina Hajdarit si përfaqësuese e opozitës parlamentare, e cila nuk njihet nga opozita jashtëparlamentare pasi këta deputetë të rinj kanë ardhur nga listat e tyre duke i zënë vendet e lëna bosh prej tyre, për shkak të vendimit të djegës së mandateve të deputetëve, vendim ky që u mor në shkurt të vitit që lamë pas. Por pas ndërhyrjes së ndërkombëtarëve opozita e bashkuar vendosi të pranojë të ulet në tryezë si me Gjiknurin ashtu edhe me Hajdarin dhe vetëm pas 1 ore diskutimesh palët ranë dakord në një marrëveshje që parashikon miratimin e reformës zgjedhore brenda datës 15 mars, duke plotësuar një nga kushtet e Bundestagut gjerman për Shqipërinë; duke krijuar një mundësi që Shqipërisë t’i hapen negociatat me BE-në në samitin e Zagrebit që do të mbahet në muajin maj./reasltory.al




Skip to toolbar