Kreu i PD-së, Lulzim Basha pritet të paraqitet sot në Prokurorinë e Tiranës për lobimin rus të PD-së në SHBA.
Javën e shkuar prokuroria e Tiranës i dërgoi një thirrje kreut të PD-së për t’u paraqitur të hënën së bashku me ish-sekretarin e përgjithshëm, Arben Ristani, dhe financierin Ilir Dervishit ku pritet t’u komunikohet zyrtarisht akuza për pastrim parash dhe falsifikim dokumentesh.
Vendimi i prokurorisë së kryeqytetit vjen pas letër-porosisë nga SHBA. Lulzim Basha akuzohet se ka fshehur financimin prej 650 mijë dollarëve në SHBA për fushatën e elektorale të vitit 2017.
Për këtë arsye, prokuroria ka nisur procedimin për veprat penale të parashikuara nga nenet 190 dhe 187 të Kodit Penal, konkretisht “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Në shkresën e publikuar të prokurorisë theksohet se nëse Basha së bashku me Ristanin dhe Dervishin nuk paraqiten ditën e hënë në prokurori do të bëhet shoqërimi i detyrueshëm me oficerë të policisë gjyqësore.
Pak muaj më parë, prokuroria deklaronte se njëra nga këto pagesa rezulton të jetë bërë nga “Biniatta Trade”, që rezulton një kompani fantazmë, e regjistruar në Edinburg të Skocisë dhe është në pronësi të rusëve dhe pjesë e një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belize, një shtet i Amerikës Qendrore i njohur si “parajsë fiskale”.
Në datën 17 qershor, pra sot, prokuroria e Tiranës pret t’ua komunikojë vendimin shtetasve Basha, Ristani dhe Dervishi. Ata duhet të paraqiten në Prokurorinë e Tiranës, në orën 09:30, mbështetur në nenin 304/1, 308 të Kodit të Procedurës Penale.
Kryedemokrati Lulzim Basha është thirrur dhe më herët nga Prokuroria e Tiranës, bashkë me zyrtarët e tjerë të PD, por ai ka refuzuar të paraqitet. Në Mars të këtij viti, kur opozita kishte filluar protestat e saj, Basha dhe tre zyrtarët e tjerë të PD iu përgjigjën negativisht thirrjes së prokurorisë për t’u paraqitur pranë saj në kuadër të hetimit për fondet e lobimit në Shtetet e Bashkuara. Por këtë herë, Basha do jetë i detyruar të paraqitet në prokurori, pasi ashtu siç deklarohet në shkresën e prokurorisë, në rast të mosparaqitjes, do të bëhet shoqërimi i tij me forcë nga oficerët e policisë gjyqësore.