Kryeministri indian Narendra Modi ka reaguar pas rrëzimit tragjik të një avioni të Air India në qytetin Ahmedabad, ngjarje që ka tronditur mbarë vendin. Në një postim në platformën X, Modi e cilësoi ngjarjen si një tragjedi që ka lënë pas shumë dhimbje.
“Tragjedia në Ahmedabad na ka tronditur dhe mbushur me trishtim. Është e pamundur të përshkruaj me fjalë dhimbjen që ndjejmë,” shkroi kryeministri indian.
Ai shtoi se është në kontakt të vazhdueshëm me ministrat dhe autoritetet përkatëse që po punojnë për të ndihmuar të prekurit nga ngjarja. Ndërkohë, Ministri i Shëndetësisë ka deklaruar se “shumë njerëz” kanë humbur jetën, por pa dhënë ende shifra zyrtare.
Raportime të pakonfirmuara flasin për të paktën 130 viktima, megjithatë ende nuk është bërë e qartë se sa prej tyre ishin pasagjerë në avion dhe sa ndodheshin në tokë në momentin e përplasjes.
Autoritetet indiane janë në gatishmëri të plotë, ndërsa pritet që në orët në vijim të publikohen detaje të mëtejshme mbi shkaqet dhe bilancin e kësaj tragjedie.