Basha, urdhër për të kontrolluar partinë. (Frikë nga Berisha?)

AKTUALITET


Mbajtja e zgjedhjeve më 30 qershor ka sjellë çorientim dhe panik në radhët e opozitës. Ndërsa vetëm 3 ditë na ndajnë nga 30 qershori, për të mbajtur situatën nën kontroll, kreu i PD, Lulzim Basha ka shpërndarë një urdhër të ri për të gjitha degët e partisë Demokratike për organizmin e punës për periudhën 28 qershor-2 korrik. Në letrën e dërguar kryetarëve të bashkisë që drejtohen nga opozita dhe krerët e degëve të PD në qytetet e vendit, Basha kërkon ngritjen e Shtabit Qendror të Koordinimit që do të ketë si detyrë organizmin e strukturave të partisë demokratike dhe dokumentimin e informacioneve në bazë të detyrave të caktuara.  Për çfarë i duhen Bashës këto Shtabe të reja në terren?

Zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor dhe aksioni i protestave disa mujore të opozitës për moslejimin e tyre ka përfunduar keq. Kjo sigurisht ka nxitur pakënaqësi jo vetëm tek militantët por edhe vetë bazën e tij. Në këto kushte, Lulzim Basha është duke u përpjekur për të mbajtur nën kontroll partinë. Sipas burimeve, baza është e irrituar dhe e mërzitur për një tjetër aksion të përfunduar keq të Lulzim Bashës. Kjo mund të bëjë që situata në 30 qershor të dalë jashtë kontrollit të strukturave dhe të shkaktojë incidente për të cilat ndërkombëtarët kanë thënë se do mbajnë përgjegjësi jo vetëm zbatuesit por edhe organizatorët.

Por duket se Basha me këtë urdhëresë shpreh ankthin se çfarë mund të ndodhë më 1 korrik. Shumë drejtues dhe ish deputetë shprehen thuajse hapur me njeri tjetrin tepër kritikë ndaj Bashës dhe aksionit të tij të nxituar për djegien e mandateve dhe mosmarrjen pjesë në zgjedhje. Gjendjen e rëndon dhe heshtja e Berishës prej disa javësh dhe zërat e një klime të ndere mes tij dhe beniaminit të dikurshëm dhe hija e Bujar Nishanit si mëkëmbës i Berishës sa vjen dhe rritet. A është kjo shkrese fillimi i një përplasje mes Berishës dhe Bashës? Shpeshherë i është thënë se nëse nuk “vret” babën politikisht, partia s’mund të jetë kurrë e Bashës. Por nëse dështon dhe në këtë përplasje, lideri i PD rrezikon realisht fundin pa lavdi të karrierës së tij politike. Përballë Amerikës edhe mund të mbijetosh, por përballë Berishës? Historia flet tërësisht ndryshe  /realstory.al

Lexoni urdhërin e plotë:

URDHËR I KRYETARIT TË PARTISË

PËR ORGANIZIMIN E PUNËS PËR PERIUDHËN 28 QERSHOR – 2 KORRIK

Në mbështetje të nenit 51 të Statutit të Partisë Demokratike të Shqipërisë,

U R D H Ë R O J:

1. Ngritjen e Shtabit Qendror të Koordinimit të situatës në vend në periudhën 28 Qershor – 2 Korrik 2019, me detyra dhe ndarje si më poshtë:

I. Organizimi i strukturave;

II. Dokumentimi i informacioneve;

III. Përpunim informacioni;

IV. Media.

2. Secili grup i Shtabit Qendror të Organizimit harton strategjinë e tij të punës në përmbushje të detyrave që mbulon, i cakton detyrat dhe udhëzon strukturat lokale të partisë mbi veprimet që duhet të ndërmerren rast pas rasti në varësi të situatës, kërkon dhe mbledh informacion nga strukturat, si dhe raporton në mënyrë periodike gjatë gjithë periudhës tek Kryetari i Partisë.

3. Me përjashtim të anëtarëve të Shtabit Qendror që njoftohen me urdhër të veçantë të Kryetarit të Partisë, anëtarët e Kryesisë së PDSH, anëtarët e Grupit Parlamentar dhe anëtarët e Këshillit Kombëtar, nga data 28 Qershor – 2 Korrik 2019, qëndrojnë pa ndërprerje në zonat që mbulojnë, sipas ndarjeve të njoftuara edhe më parë gjatë periudhës 16 Shkurt 2019 e deri më tani. Ato koordinojnë veprimet, në varësi të tematikës, me Shtabin Qendror të Koordinimit.

4. Pranë çdo Degë të Partisë, në nivel bashkiak, ngrihet menjëherë Shtabi Lokal i Punës, që në koordinim me Shtabin Qendror, organizon punën në terren, sipas të katër fushatave që përfshihen në pikën 1. Në Degët ku Partia Demokratike drejton bashkinë, drejtues i Shtabit është Kryetari i Bashkisë dhe Kryetari i Degës. Në Degët e tjera, drejtues i Shtabit është Kryetari i Degës.

5. Shtabet bashkërendojnë veprimet me të gjitha partitë e Koalicionit Opozitar, në nivel qendror dhe lokal.

6. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.

KRYETARI

LULZIM BASHA



Skip to toolbar