Të mërkurën Realstory.al publikoi detaje të tjera që lidhin prokurorin Arjan Ndoja dhe familjarë të tij me çështjen e pronave në Gjirin e Lalzit. Nga të dhënat rezultoi se bashkëshortja e prokurorit Ndoja, ishte e regjistruar si subjekt “avokat” në vitin 2012. Studio e saj ligjore kishte përfaqësuar në proceset gjyqësore për pronat në Lalëz shtetasin Pal Seçuni, i cili përfitoi 4.5 hektarë tokë me akt trashëgimie. Pas këtij shtetasi dyshohet se fshihet Landi Muharremi, personi i cili mbeti i plagosur në atentatin e të premtes së kaluar bashkë me prokurorin.
“Rrumi” dyshohet se ishte një nga personat që dhunoi biznesmenin libanez Fad Mitri, i cili do të ndërtonte një kompleks turistik në pronën të cilën e përfitoi shtetasi Pal Seçuni. Ndërkohë, veç këtij detaji, nga deklarata e pasurisë e prokurorit Arjan Ndoja, del dhe një tjetër detaj, që lidhet përsëri me pronat dhe bashkëshorten e tij. Në deklaratën e pasurisë vihet re se bashkëshortja e prokurorit Ndoja, Elderina Frrok Ndoja deklaron se në vitin 2013 ajo ka përfituar një sipërfaqe toke prej 196 211 metra katrorë tokë, ose rreth 19.6 hektarë.
Akti i dhurimit është kryer gjatë muajit prill të vitit 2013, ndërsa në deklaratë nuk mund të lexohet se kush janë dhuruesit e kësaj toke. Gjithashtu, për shkak të ruajtjes së konfidencialitetit, në deklaratën e pasurisë në ILDKPKI, janë fshirë dhe numrat kadastralë të tokës ndërsa shquhet se toka është e llojit pyll në Durrës.
Tjetër detaj interesant është fakti se në deklaratën e pasurisë, dy sipërfaqet e tokës dhuruar bashkëshortes së prokurorit Arjan Ndoja, përkatësisht 79 434 dhe 112 277 (në total 191 711) metra katrorë tokë, ajo ia ridhuron përsëri disa ditë më pas, ndërsa emri i përfituesit nuk dihet. Gjithashtu, po gjatë muajit maj të vitit 2013 bashkëshortes së prokurorit i dhurojnë disa prona të tjera në Durrës, konkretisht katër prona me sipërfaqe: 800, 800, 1800 dhe 1100 metra katrorë. /Realstory.al/