Baze: Berisha bëri një opozitë ashtu siç e donte Edi Rama 

Më të fundit


Në përpjekje për të justifikuar degradimin e opozitës nga Shtatori i vitit të kaluar, Sali Berisha po përpiqet përmes propagandueseve të vet, por sidomos duke e përsëritur vet me zë të lartë, se prej një viti ai ka forcuar opozitën. Herë pas here si zë i dytë, këtë e thotë dhe Meta/Metaj. 
Miti se pas dorëheqjes së Lulzim Bashës, opozita është forcuar dhe është bërë më efiçente, është ndoshta gënjeshtra më e madhe politike e këtyre 32 viteve pluralizëm. 
Pas Shtatorit të vitit të kaluar opozita filloi procesin e ndarjes dhe degradimit të saj dhe jo procesin e forcimit. Beteja personale e Sali Berishës për të përdorur Partinë Demokratike si bunker për të mbrojtur kokën e vet dhe familjes akuzuar për korrupsion, e degradoi Partinë Demokratike nga pikëpamja politike, nga pikëpamja elektorale dhe në fund dhe nga imazhi publik i saj. 
Politikisht PD për herë të parë në historinë e saj u nda në dy rryma, njëra prej të cilave, ajo që pretendon se është më e fortë, është tashmë zyrtarisht një parti antiperëndimore dhe sidomos antiamerikane. Pra të marrësh partinë e parë antikomuniste properëndimore të Shqipërisë dhe një copë të saj ta kthesh në repart taliban antiamerikan e pastaj të thuash u forcua, meqë ka në mendje që talibanët janë të fortë, është një marrëzi. 
Ndarja në dy rryma e Partisë Demokratike, është zhvillimi më dramatik i asaj partie, pasi janë dy rryma që nuk do të takohen më kurrë gjithë jetën. Gjithmonë tani e tutje në të djathtën shqiptare, sa të jetë gjallë Sali Berisha, por edhe derisa familjarët e tij të kenë nën kontroll PD, do të ekzistojnë dy ideologji politike, ajo properëndimore e Partisë Demokratike zyrtare dhe ajo antiamerikanë e grupit të Sali Berishës. Kjo është goditja më e madhe politike që i ka dhënë Sali Berisha asaj partie, goditje që nuk ka mundur t’ia japë dot asnjë figurë apo trashëgimtar i komunizmit në Shqipëri, që nga Ramiz Alia e deri tek mbesa e Beqirit në ditët e sotme. 
Pas 9 Shtatorit PD u shkatërrua edhe nga pikëpamja elektorale. Testi i 6 marsit të këtij viti, edhe pse është një test i zhvilluar në 6 bashki që janë thuajse të gjitha të favorizuara të PD, treguan se fraksioni i Berishës mbijetoi vetëm në Shkodër, dhe aty me ndihmën e fshehtë të Partisë Socialiste, dhe asgjësoi opozitën në gjithë Shqipërinë. Ai është ilustrimi konkret se opozita nuk ja del dot pas daljes në skenë të Sali Berishës. Ai e ka shkatërruar atë dhe nga pikëpamja elektorale. Prej 6 Marsit deri më sot, hendeku është thelluar edhe më . 
Por shkatërrimi më i madh i opozitës, i ka ndodhur në imazh. Skenat epike të 8 janarit, ku gladiatorët e Berishës u ngjiteshin mureve të SHQUP me shtiza në duar për të vrarë armikun brenda kështjellës dhe pamja e shkatërruar e Sali Berishës pasi nuk mori dot kalanë, është një imazh që do përsëritet sa herë ai të kërkojë pushtet, për të treguar se një njeri që shkatërron partinë e tij, nuk mund t’i dhimbset Shqipëria. Ai është inçesti më i madh që një politikan ka bërë në familjen tij politike. 
Pas atij gjesti, opozita shqiptare u bë tripolare, ku në një anë është grupi i Luzim Bashës, përballë tij grupi i Sali Berishës dhe mes tyre grupi i Ilir Metës që kërkon tu vërë gjoba të dy palëve për shkak të gjendjes së tyre. 
Kjo nuk e ka bërë Shqipërinë një vend  me opozitë të fortë, por një vend pa opozitë. Të gjithë ata që këmbngulin se Berisha ka forcuar opozitën ose tallen me Sali Berishën, meqë e quajnë burrë në moshë që nuk kupton më gjë, ose duan të tallen me demokratët të cilët të mbetur pa shpresë u kanë ngelur vetëm fjalët e mira për të dëgjuar. 
Opozita me Sali Berishën është përçarë përfundimisht, është bërë më e dobët, me pabashkueshme, më pak elektorale dhe mbi të gjitha me një imazh të tmerrshëm pasi kërkon të riciklojë dy figura që kanë 30 vjet që sundojnë në politikën shqiptare, si hajdut pasurish, hajdut votash dhe vrasës: Sali Berishën dhe Ilir Meta/Metaj.  
Sali Berisha dhe Ilir Meta/Metaj nuk harrojnë të thonë vazhdimisht se Lulzim Basha ishte një njeri i Edi Ramës në opozitë. Në fakt nëse dikush e bëri opozitën siç e deshte Edi Rama ai është Sali Berisha dhe Ilir Meta/Metaj. Kjo është një opozitë ashtu siç i duhet atij. I vetmi që është forcuar nga kjo opozitë është vetëm Edi Rama. Dhe fatkeqësisht dhe këtë e ka dhuratë nga Berisha, pa ndonjë kontribut të vetin. 





Skip to toolbar