Baze: Edhe pushteti duhet të pastrohet nga korrupsioni me mediat 

Më të fundit


Nuk mund të injorojmë faktin që biznesmeni Irfan Hysenbelliu është në një konflikt me qeverinë shqiptare edhe si botues. Në problemet që shoqërojnë bizneset e tij, dimensioni i botuesit ka qenë vendimtar sa i përket privilegjeve nga pushteti. Dhe jo vetëm i atij, por thuajse shumicës së botuesve shqiptarë. 

Dëgjova dhe disa kolegë  që janë të angazhuar si gazetarë panë mediave të tij, që të krahasonin pastaj goditjet ndaj dy pishinave, me goditjet e Berishës ndaj gazetës “Koha Jonë” në vitin 1997. Për fat nuk i krahasuan me goditjet e Berishës ndaj gazetës “TemA”, që kanë qenë po aq, dhe në disa raste më të rënda. Besoj se më kanë respektuar duke mos i përmendur. As mediat e Irfanit nuk i kanë përmendur në atë kohë.


Nuk mendoj se sjelljet e pushtetit ndaj një biznesmeni që ka media, nuk ndikohen dhe nga sjelljet e medias. Por në krahasimin mes rastit të Berishës kundër shtypit kritik dhe rastit në fjalë, kemi një raport të përmbysur. 

Sali Berisha ka djegur gazetën “Koha Jonë” dhe është futur në listën e 10 armiqve botërorë të shtypit, bashkë me presidentin e Kinës, Koresë së Veriut dhe Milosheviçin, pasi e bëri atë me urrejtje dhe për t’i dhunuar, ku përveç redaksisë, ka gjymtuar përjetë edhe një gazetar të saj.

Ai po ashtu hodhi në erë makinën time para pallatit, rrethoi me policë dhe nuk përfilli vendimin e gjykatës që ndalonte të na nxirrte nga redaksia, duke shkatërruar çdo inventar të saj. E bëri po ashtu me urrejtje, duke shkelur ligjet dhe duke u përpjekur të na frikësojë, se kishte gjithçka në dorë. 

Nuk po flas këtu pastaj për banditët që vendoste rrugëve të ushtronin dhunë, pasi pozonin me gruan e tij, apo gjobat dhe sjelljet e tjera të dhunës shtetërore. Berisha e ka dhunuar shtypin, kur shtypi ka qenë në rregull me ligjin. Berisha ka dhunuar ligjin për të dhunuar shtypin.

Pushteti i Edi Ramës në këtë rast, por dhe raste të tjera, ka një sjellje të kundërt, natyrisht jo për t’u lavdëruar. Ky pushtet e ka lejuar median të korruptohet dhe të privilegjohet, dhe kur media tenton ta shantazhojë, ai natyrisht i heq privilegjet. Rasti në fjalë është tipik.

Ai i ka dhënë në parim një leje resorti të kushtëzuar në Golem, por duke menduar si biznesmen i privilegjuar, ai kushtet e saj nuk i ka plotësuar kurrë, lejen nuk e ka bërë të vlefshme dhe e ka zhvilluar pronën në kushtet e paligjshmërisë. Natyrisht, e gjithë kjo nën sytë e pushtetit që e ka toleruar.

Ka dhe plot media të tjera të mëdha që e kanë bërë këtë.  Historitë e lobimeve të TV Klan në bregdetin e jugut apo Lalëz, janë i njëjti model. Pra kemi një histori mediash të privilegjuara nga pushteti.

Ajo që po bën pushteti në këtë rast, është thjesht se po i heq privilegjet që i ka lejuar. Po i kërkon taksat e resortit, po i verifikon ligjshmërinë e lejes, cilësinë e ujërave, taksat e doganave dhe tatimeve etj. Kur bëhen bashkë, duket se janë shumë dhe duket qartë se shteti, bashkë me Hysenbelliun, është zhytur po ashtu në paligjshmëri. Dhe kjo kërkon kurbanin e vet, dhe nga ana e shtetit. 

E njëjta histori është dhe me afatet e godinave të marra me qira nga shteti. U kanë mbaruar afatet dhe qeveria nuk dëshiron t’i përsërisë. Ai po mbrohet me gjykatë dhe vendimet po i respektohen. Vendimin tim të gjykatës Sali Berisha e hodhi në kosh të plehrave dhe nuk na la të merrnim as xhaketën.

Diferenca mes një pushteti represiv si ai i Berishës dhe Metës dhe një pushteti që toleron paligjshmërinë e bizneseve të atyre që kanë media, në thelb është i pamorlashëm, por jo i njëjtë. 

Dhe kur sot shikoj në këmbë si avokat të lirisë së medias, Sali Berishën dhe Ilir Metën, natyrisht që ndjehem i pafuqishëm t’i barazoj me Edi Ramën. Ky i fundit nuk duhet të pastrojë Irfanin nga paligjshmëria, se ajo është punë e ligjit.

Ky duhet të pastrojë pushtetin nga qokat dhe tolerimi i bizneseve që kanë media, të cilët në një ditë kur ballafaqohen me ligjin, dëshmojnë se mediat nuk i kanë për publikun, por për kokën e tyre. Madje dhe për kokën e Sali Berishës e Ilir Metës, që janë dhunuesit e saj.




Skip to toolbar