Baze: Një mënyrë se si mund t’i shtohen sanksionet Kosovës!

KOSOVA


Nga Mero Baze

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërcënuar presidentin e Francës, Emannuel Macron, se nëse ai bën realitet paralajmërimet e tij për bllokimin e liberalizmit të vizave, atëherë dialogu me Serbinë do të bllokohet.


Deklarata nuk është shqetësuese për presidentin Macron, por për mendësinë e udhëheqësve të Kosovës dhe mos reflektimin e tyre lidhur me sanksionet e Perëndimit ndaj tyre.

Paralajmërimi i presidentit Macron ishte i qartë dhe i referohej sjelljes së papërgjegjshme të qeverisë së Kosovës në Veri. Pra kërkonte reflektim.

As Macron, as BE dhe as SHBA, nuk kanë gjë me Kosovën. E kanë me udhëheqjen politike të Kosovës.

Përfytyroni që Bashkimi Evropian dhe SHBA janë detyruar të ulen e të merren vesh për t’i vënë sanksione Kosovës, një vendi që e kanë themeluar vetë. Pra durimi i tyre ndaj qeverisë së Kosovës ka shkuar aq larg, sa ata kanë gjetur gjuhën e përbashkët me njëri- tjetrin që ky vend duhet futur nën sanksione. Dhe sot Kosova është i vetmi vend i Evropës, nëse nuk llogarisim Rusinë, që është nën sanksione.

Deklarata e presidentes Osmani, nuk është e rrezikshme se i kundërpërgjigjet presidentit Macron, por se dëshmon se akoma nuk e kanë kuptuar se çfarë i kanë bërë Kosovës.

Sanksionet nuk hiqen pse i kërkon Kosova t’i heqë, se ato nuk i ka vënë Kosova. Sanksionet hiqen kur Perëndimi, dhe posaçërisht BE dhe SHBA, të binden se udhëheqja politike e Kosovës është e përgjegjshme dhe është në një vijë me politikën e Perëndimit për Kosovën.

Ato nuk hiqen me përqindje realizmi detyrash nga Albin Kurti, që thotë “kam ulë 25 për qind të pranisë policore, mi ulni 25 për qind të sanksioneve”.

Jo!

Sanksionet nuk do të hiqen edhe sikur Albin Kurti të bëjë çdo gjë që ju kërkua të bënte në pranverë për Veriun. Ato nuk kanë të bëjnë më me detyra konkrete, por me besueshmërinë e qeverisë së Kosovës në Perëndim. Dhe besueshmëria e qeverisë është nën nivelin më të ulët.

Mënyra se si presidentja Osmani po përpiqet të frikësojë Perëndimin, nëse nuk liberalizojnë vizat, është dëshmi e keqkuptimit të madh që ka udhëheqja politike në Kosovë për Perëndimin, të cilin e trajton si fuqi rivale, të cilin madje dhe mund ta kërcënojnë.

Të kërcënosh Perëndimin se do bllokosh dialogun me Serbinë, do të thotë të vazhdosh të çosh mesazhe për sanksione të reja ndaj Kosovës dhe kthimin e vendit në një tokë të djegur për tekat e Albin Kurtit dhe pasuesve të tij.

Me këtë logjikë, sanksionet do të shtohen, Kosova do të izolohet dhe natyrisht gjithkush që ka në dorë të bllokojë dhe vizat, siç është presidenti Macron, dhe atë mund ta bëj. Nuk e di se çfarë goditje do t’i japë Kosova, Evropës dhe SHBA pas kësaj, por e sigurtë është që Evropa dhe SHBA nuk kanë qëllim të godasin Kosovën, por Albin Kurtin dhe qeverinë e tij. Dhe derisa ata do flasin në emër të Kosovës, natyrisht do ta vuajë dhe Kosova.

Kërcënimi i presidentes Osmani ndaj presidentit Macron, tregon kulturën e mos reflektimit të qeverisë së Kosovës ndaj sanksioneve të Perëndimit dhe vetëm sa i shton ato, përfshi ndoshta dhe pezullimin e liberalizmit të vizave. Nëse e ka pasur për këtë, presidentja Osmani është shumë afër arritjes së qëllimit.




Skip to toolbar