Baze: Përse Berishën nuk e ndihmojnë dot këta që po tërheq nga gara

Më të fundit


Dorëheqjet nën presion të disa prej kandidatëve të Partisë Demokratike, vlejnë vetëm për të kuptuar mënyrën se si Sali Berisha kërkon ta nënshtrojë ish- partinë e tij. Nuk vlejnë për asgjë tjetër.

Nuk vlejnë nga pikëpamja politike, pasi vet Partia Demokratike ka dy qëndrime të ndryshme për kandidimin me kandidatë për kryetarë bashkie. 

Një pjesë janë dakord të kandidojnë vetëm për këshilla bashkiake dhe Alibeaj për të kandiduar me kandidatë edhe për kryetarë bashkie. 

Për të shmangur një përçarje në mes të fushatës, kanë rënë dakord të bashkëjetojnë me të dy opsionet. Kështu që politikisht Berisha nuk është se fiton ndonjë gjë, përveçse përpiqet t’i japë më pak të drejtë Alibeajt dhe më shumë atyre që janë për kandidim vetëm në këshilla bashkiakë.

As nga pikëpamja elektorale nuk fiton gjë.

Ata që janë ndarë me Sali Berishën dhe e kanë ndarë mendjen që nuk votojnë Sali Berishën, nuk e votojnë atë, pavarësisht nëse kanë apo jo kandidatë për kryetar bashkie.

Ata ose rrinë në shtëpi, ose shkojnë votojnë PD për këshill bashkiak dhe abstenojnë për kryetar. Ose votojnë dikë tjetër. 

Berisha nuk e merr dot votën e tyre. Ai ka plot shanse të marrë votat nga Kryesia e PD, por jo nga elektorati anti Berishë i opozitës.

Elektorati anti Berishë i opozitës është një elektorat që ka mbërritur përmes një bindje të brendshme tek ai qëndrim dhe nuk lëkundet nga pazare apo shantazhe kandidatësh.

E vetmja gjë që fiton Berisha nga procesi i shantazhit dhe presionit mbi kandidatët e Alibeajt, është mesazhi që u përçon demokratëve, se ai ose i poshtëron dhe i detyron të dorëzohen kundërshtarët, ose është gati të shkatërrojë gjithçka. Është ajo që bëri që nga fillimi i këtij procesi përçarës.

Me këtë rast ai thjesht forcon identitetin e tij si përçarësi i Partisë Demokratike dhe si njeriu që nuk pranoi të negociojë me PD të garonin kandidatët me logon e saj, por kërkon që, ose të jenë armiqtë e tij, ose të mundurit e tij.

Për kaq vlen e gjithë kjo histori, e cila Berishën nuk e ndihmon të fitojnë kandidatët e tij, por e ndihmon të duket që ka ende fuqi të shantazhojë apo që ka ende para të blejë kundërshtarët e tij. 

E dimë që i ka ato. Por votat pro tij nuk do t’i ketë më kurrë. Thjesht po përpiqet që më mirë t’i marrin armiqtë e tij, se sa këta të PD.



Skip to toolbar