BE hesht për Tahirin

POLITIKË


Pas ambasadorit të BE në Shqipëri Luigi Soreca, i cili u shpreh se nuk mund të jap dot një qëndrim pa u njohur me dosjen e plotë të ish ministrit Tahiri, edhe Brukseli zyrtar, nuk ka dhënë komente për vendimin. I pyetur nga A2CNN, BE u përgjigj se nuk mund të jap dot një koment për vendimin e gjykatës pasi çështja mund të kalojë në Apel. BE ka deklaruar se ajo nuk komenton vendimet e çështjeve të veçanta pasi respekton pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, ndërsa është ende të pritje të zbardhjes së dosjes.

 “Bashkimi Evropian është vënë në dijeni për vendimin që Gjykata e Krimeve të Rënda ka marrë në shkallën e parë për ish ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, duke e dënuar atë për shpërdorim detyre. Ne nuk i komentojmë vendimin e marrë për çështjen të veçanta, pasi BE e respekton pavarësinë e institucioneve të drejtësisë. Detajet dhe arsyet e këtij vendimi ende nuk janë bërë publike dhe procesi gjyqësor ende vazhdon dhe është subjekt i apelit”, thuhet në reagimin e BE

Paraditen e të premtes ka reaguar edhe ambasada e SHBA, e cila vlerësoi vendimin e gjykatës duke thënë se dëshmoi pavarësinë e gjyqësorit, megjithëse e cilësoi shkurajues masën e ulët të dënimit të dhënë ndaj tij. Dënimi i ish ministrit Tahiri ishte prova që të gjithë po prisnin për funksionimin e reformës në drejtësi dhe krijimin e besimit se drejtësia e re është në rrugën e duhur dhe se ka një mbështetje të madhe nga amerikanët. Tahiri u dënua mbrëmjen e së enjte me 3.4 vjet burg për shpërdorim detyre, dënim i cili iu konvertua në shërbim prove për 3 vjet. Tahiri u shpall i pafajshëm për akuzat “trafik ndërkombëtar droge”, “grup i strukturuar kriminal” dhe “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”.



Skip to toolbar