Derbi me Partizanin, Mema: Mezi po pres

SPORT


Tirana ka dy sfida të rëndësishme në pak ditë. Së pari është Kukësi dhe më pas vjen derbi ndaj Partizanit. Katër ndeshje, asnjë humbje, 10 pikë të grumbulluara dhe kryesim i kampionatit. Ardian Mema ka dalë në konferencë për shtyp, duke folur për të gjitha këto. Së pari e ka nisur me rivalin e të shtunës, Kukësin, duke u shprehur se është një ekip cilësor, ndërsa objektivi është rezultati pozitiv. “Kukësi është një ekip shumë i fortë, ka elementë mjaft cilësore brenda vetes, duhet menaxhuar shumë mirë ndeshja nesër. Na duhet ta përgatisim mirë ndeshjen. Shpresojmë të bëjmë më të mirën nesër dhe të kemi një rezultat pozitiv. Për ekipet e elitës, ndeshja e nesërme, dashje pa dashje është test. Ka të bëjë shumë edhe me vazhdimësinë e ekipit. Ideja është që këtë ekipe duhet të mirë menaxhohen dhe nuk duhet të humbasësh”, ka thënë Mema.

Tirana do të ketë disa lojtarë që rikthehen dhe do të jenë të gatshëm për takimin ndaj Kukësit. Agostin Torasa është prej tyre, ndërkohë që Andi Lila ende nuk është gati për të luajtur. “Torasa është pjesë e grupit nesër. Nuk do ta fillojë nga fillimi por do të jetë pjesë e grupit. Ndryshe nga viti i kaluar, Kukësi ka kontingjent të ri lojtarësh, por i kanë ikur lojtarë të rëndësishëm si Shameti dhe Rama, por edhe i kanë ardhur disa lojtarë. Andi Lila do kohën e vetë, akoma nuk është gati. Stërvitet intesivisht, shpresojmë që të kthehet shumë shpejt. Secila skuadër ka specifikat e vete. Mendoj që nesër duhet të jemi të përqëndruar. Të jemi ne fitimtarë dhe të jemi ne që ta diktojmë ndeshjen dhe të arrijmë ato çfarë shpresojmë ne si skuadër”, ka thënë Mema.


Ndonëse në aspektin e rëndësisë, ndeshja me Kukësin është po aq e rëndësishme, për trajnerin Ardian Mema, derbi me Partizanin pritet me padurim. Sipas tij, ky i këtij viti, nuk është si Partizani i sezonit të kaluar. “Partizani ka pasur një ecuri jo të mirë këto ndeshje. Elementët brenda ekipit i ka. Çdo gjë varet nga periudha, lojtarët, trajneri i ri. Shpresojmë fillimisht të kalojmë Kukësin dhe pastaj të shohim për Partizanin. Tifozët e Tiranës mezi e presin atë ndeshjen për ta fituar. Unë padashje e kam parë Partizanin me Kukësin dhe në finalen e Superkupës, kam parë edhe ndeshjet e tjera. Nuk ka qenë primare të shikoj Partizanin se kam parë ekipet kundërshtaret. Nuk mund ta mendoj që javën e parë si mund të luaj me Partizanin. Nuk është Partizani i vjetshëm, kjo është e vërtetë”, ka thënë Ardi Mema.




Skip to toolbar