Berat Gjimshiti është një nga lojtarët e kombëtares që po përjeton momente të shkëlqyera në karrierë. Mbrojtësi kuq e zi, jo vetëm është shndërruar në pikë referimi për Atalantën, por tashmë vlerat e tij në tregun e transferimeve është shumëfishuar në krahasim me sezonin e kaluar. Sipas “Transfermarkt”, e specializuar për llogaritjen e vlerave të kartonit të lojtarëve, mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë kushton 10 milionë euro.
Kështu, në 20 dhjetor të vitit të kaluar, Berat Gjimshiti kushtonte 1.5 milion euro. Por, në disa muaj, konkretisht gjatë qershorit të këtij viti vlera e kartonit të futbollistit arriti vlerën 7.5 milionë euro. Ndërsa tani, qendërmbrojtësi i kombëtares kushton 10 milion euro, duke e bërë atë një nga lojtarët më të shtrenjtë të kombëtares shqiptare.
Ai renditet i treti, pas Hysajt dhe Strakoshës sa i përket vlerës së kartonit, ndërsa tek ekipi i Atalantës Gjimshiti renditet në vendin e 14. Mbrojtësi i kombëtares është duke zhvilluar sezon pozitiv për Atalantën, duke u shndërruar në “mur” në prapavijën e skuadrës bergameze. Vetëm dy sezone më parë, Gjimshiti nuk llogaritej në skuadrën bergameze, ndërsa sot ai është shndërruar në titullar fiks në formacion.