Berisha drejt rikonfirmimit, por i braktisur nga demokratët.
Rithemelimi po përfundon në ritkurrje të PD. Të shtunën e zgjedhjeve, selia blu pranoi për herë të parë se partia më e madhe është tkurrur në 50 mijë anëtarë.
100 mijë anëtarë ka pasur kur doli në opozitë në 2013, në përballje Basha-Olldashi për të pasuar Berishën. Ky numër anëtarësie u ruajt edhe në vitin 2017, kur Basha u rikonfirmua në krye të PD përballë Selamit.
Por në vitin 2021, PD pësoi tkurrjen e parë në 75 mijë anëtarë.
Për të rrëzuar Lulzim Bashën, Berisha pas shpalljes non grata premtoi rithemelim dhe hapje të PD.
Por sot, 5 vite pas rikthimit të tij, u pranua dështimi i tij. Në këtë hark kohor, Berishës i janë larguar apo ka përjashtuar 1/3 e anëtarësisë apo 25 mijë demokratë anëtarë.
Në vitin 2022, kur Berisha u rizgjodh për herë të parë me votë përballë Ibsen Elezit, ishin 46 mijë anëtarë që votuan, ndonëse atëherë PD e Rithemelimit nuk e tregoi asnjëherë pjesëmarrjen dhe numrin total të anëtarësisë, duke vënë në pikëpyetje rezultatin final të zgjedhjeve.
Në referendumin e 2026, kur Berisha nuk ka asnjë kandidat përballë, PD tregoi numrin e anëtarësisë, por dukshëm po përpiqet të kapë kuotat e vitit 2022, kur doktori u zgjodh kryetar me 43 mijë vota.
Sipas Komisionit Zgjedhor të PD, deri në orën 13 të drekës, mbi 19 mijë anëtarë votuan në referendum, ose 37% e anëtarësisë së mbetur.
Por, i përjashtuari nga gara për kryetar dhe PD, Ervin Salianji jep shifra të tjera nga terreni.
Sipas tij, në 5 orët e para të referendumit në PD, nuk kanë votuar as 4% e anëtarësisë, duke e braktisur farsën e Berishës, madje ai me foto tregon se një pjesë e demokratëve që morën pjesë në votim, kanë shtuar emrin e tij në fletën e votimit, duke votuar për Ervin Salianjin dhe jo për Sali Berishën në këto zgjedhje. Çfarë praktikisht e bën fletën e votimit të pavlefshme.
