Biden, letër Vuçiçit për njohje reciproke. Presidenti serb: Ma kërkoi edhe Trump, por i thashë se çfarë mendoja

AKTUALITET


Presidenti amerikan Joe Biden i ka kërkuar presidentit serb arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi, që do të përqendrohet në njohjen reciproke.

Në një letër urimi me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë, kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi mbështetjen e SHBA-së për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e cila përqendrohet në njohjen reciproke.


Letra e presidentit amerikan është botuar në disa media serbe dhe të Kosovës.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kreut të shtetit serb Aleksandër Vuçiç, i cili  shprehet se sa i përket njohjes reciproke, nuk thuhet në asnjë akt të organizatave botërore. Sipas tij ka pasur përpjekje për ta përfshirë në marrëveshjet e ardhshme, duke nënkuptuar takimin e shtatorit me ish-presidentin Trump.

“Kam marrë një mesazh urimi nga Presidenti Biden. Sa i përket njohjes reciproke, nuk thuhet në asnjë akt të organizatave botërore. Ka pasur përpjekje për të imponuar atë term si diçka që duhet ta kishim pranuar si zgjidhja përfundimtare. Por unë ua thashë çfarë mendoja për njohjen reciproke”- shprehet Vuçiç, raportojnë mediat serbe.

Në takimin e shtatorit të vitit të kaluar në Uashington, presidentit serb iu ofrua të përfshinte te marrëveshja edhe termin “njohje reciproke”, por Vuçiç e hodhi poshtë dhe ky term u hoq nga marrëveshja e Uashingtonit.




Skip to toolbar