Bilanci i të dielës, 5 aksidente 12 të plagosur në rrugët e vendit

AKTUALITET


Rrugët e vendit u përgjakën të dielën, me aksidente që nisën në orët e para të mëngjesit dhe vijuan gjatë gjithë ditës deri në mbrëmje. I fundit nga aksidentet, ishte ai në aksin rrugor Fushë Krujë-Tiranë, ku dy mjete janë përplasur mes tyre në afërsi të Larushkut. Për pasojë mbetën të plagosur rëndë dy persona, të cilët janë dërguar në spitalin e Traumës në Tiranë. Identiteti i të aksidentuarëve ende nuk dihet. Policia shkoi në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Po gjatë mbrëmjes të së dielës, në aksin rrugor Tiranë-Durrës, një mjet, i drejtuar nga shetasja me inicialet D.G., është përplasur me bordurën e rrugës pasi shoferja humbi kontrollin. Pas përplasjes me trafikndarësen e rrugës, mjeti është përplasur dhe me një shtyllë ndriçimi në autostradë, e cila është këputur.  Për pasojë janë dëmtuar dy pasagjeret në këtë mjet, shtetaset I.H. dhe M.H.  

Ato janë dërguar me urgjencë në spital për të marrë ndihmën mjekësore, ndërsa policia thotë se ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Në Elbasan, po gjatë mbrëmjes, një person mbeti i aksidentuar në afërsi të stadiumit “Elbasan Arena”. Nga aksidenti mbeti i plagosur një person, rreth 50-vjeç i cili është dërguar me urgjencë në spitalin e Elbasanit.

Tre persona të tjerë u plagosën si pasojë e përplasjes së dy mjeteve në aksin rrugor Librazhd-Prrenjas. Të plagosurit u dërguan me urgjencë në spitalin e Elbasanit, ku ndodhen për mjekim të specializuar. Ndërkohë, paradite, një mjet doli nga rruga dhe ra në përrua në aksin rrugor Librazhd-Prrenjas. Për pasojë mbetën të plagosur katër persona, ndërsa një prej tyre pasditen e të dielës u dërguar në Tiranë për mjekim të specializuar pasi ishte në gjendje më të rëndë.

Shkaqet e këtyre aksidenteve kanë qenë kryesisht të lidhura me parakalimin e gabuar dhe humbjen e kontrollit të mjtetit nga drejtuesit e tyre. Fatmirësisht, ndonëse të pestë aksidentet kanë pasur persona të lënduar rëndë, deri më tani nuk është raportuar për humbje jetësh. Gjatë ditëve të fundit Policia Rrugore raportoi se po ashpërson masat ndaj drejtuesve të mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit, duke vendosur mijëra masa administrative, pezullim lejesh drejtimi por edhe arrestime të shoferëve që janë gjetur me shkelje të rënda.



Skip to toolbar