E rëndë, katër aksidente, 2 të vdekur dhe 8 të plagosur

AKTUALITET


Një aksident me pasoja tragjike ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në aksin rrugor Pogradec-Korçë, në afërsi të fshatit Leshnicë. Dy mjete, një tip “Golf” dhe një tip “Benz”, janë përplasur mes tyre, ku si pasojë ka mbetur i vdekur në vend drejtuesi i mjetit tip golf, emri dhe mosha e të cilit ende nuk bëhet i ditur.

Ndërkohë, si pasojë e po këtij aksidenti, kanë mbetur të plagosur dhe katër persona të tjerë. Konkretisht, të plagosura kanë mbetur dy gra dhe një fëmijë i mitur, që udhëtonin në mjetin tip “Golf”, si dhe drejtuesi i mjetit tip “Benz”, shtetasi me inicialet D.H., raporton policia.


Sipas informacionit zyrtar, mësohet se të plagosurit ndodhen nën kujdesin e mjekëve, ndërsa policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit tragjik. Ndërkohë, viktima e këtij aksidenti, ka mbetur brenda makinës së aksidentuar për më shumë se një orë.

Ky është aksidenti i katërt që ndodhë brenda një dite në vendin tonë. Paraditen e të dielës, në një aksident në Rrugën e Kombit, mbeti e vdekur një vajzë e mitur, që po udhëtonte me të atin e saj.

Gjithashtu, një kamion është aksidentuar në aksin rrugor Burrel-Milot, por fatmirësisht shoferi është hedhur para kohe nga kabina e mjetit, duke mos pasur lëndime. Ndërkohë, pasditen e të dielës, tre makina mësohet se janë përplasur në aksin rrugor Peqin-Elbasan.

Si pasojë e këtij aksidenti, kanë mbetur të plagosur katër persona, tre shoferët dhe një grua, për të cilën raportohet se është në gjendje të rëndë shëndetësore. Në aksident janë përshirë dy mjete tip “Benz” dhe një “Mitsubishi”. Të gjithë të plagosurit janë transportuar në spitalin e Elbasanit për ndihmë mjekësore. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes pas aksidentit dhe ka nisur punën për zbardhjen e tij.




Skip to toolbar