Bllokohen 298 tonë naftë jashtë standardeve

AKTUALITET


Aksioni anti informalitetit ka bllokuar jo pak por, 298 ton karburant, pasi u gjet jashtë standardeve të tregtimit. Nafta u bllokua në vendburim në bashkinë e Finiqit ndërsa i gjithë aksioni u drejtua nga  ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku. Nga kontrolli i ushtruar në këtë vendburim u konstatua se mungonte vërtetimi teknik, si dhe u evidentuan probleme me cilësinë e produktit.

Ministrja Belinda Balluku e cilësoi aksionin në fjalë si provën e radhës për angazhimin e qeverisë në luftën kundër informalitetit duke paralajmëruar se aksionet do të vijojë edhe në javët në vijim në të gjithë territorin e vendit. “Ky është një sulm frontal kundër informaliteti, të cilin ne do ta vazhdojmë. Të gjithë entet shtetërore, si Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si Ministria e Financave dhe të gjithë agjencitë apo drejtoritë në varësi të tyre, janë të fokusuar tek lufta kundër informalitetit dhe askush nga ne nuk ka plan që të ndalojë”, nënvizoi Balluku.


Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë theksoi se koordinimi mes agjencive dhe institucioneve përkatëse, si në këtë rast, rrisin efiçencën e aksioneve, ndërsa nxiti bashkëpunimin mes ISHTI-t dhe administratës doganore, me qëllim evidentimi e shkeljeve dhe marrjen e masave përkatëse për subjektet që abuzojnë.

“Në rastet kur kemi aksione të koordinuara, efiçenca e aksionit është më e lartë dhe unë do t’ju sugjeroja dhe do t’ju nxisja që dhe në të ardhmen të ketë një bashkëpunim të hapur midis drejtorive dhe Inspektoratit Teknik për të goditur sa më shumë, qoftë parregullsitë cilësore, që janë shumë të rëndësishme, ashtu dhe parregullsitë fiskale. Për të vendosur një herë e mirë në tregun e karburanteve në Shqipëri një legjitimitet të plotë përsa i përket tregtimit, cilësisë dhe sigurisht përsa i përket të gjithë rregullimit të këtij sektori, i cili ndër vite lë shumë për të dëshiruar”, theksoi Balluku.

Nga analizat e kryera rezultoi se lënda prej 298 tonësh, e bllokuar kishte parametra të pazakontë sa i takon nivelit të squfurit por edhe nivelit të flakërimit si dhe nuk plotësonte kushtet e sigurisë.




Skip to toolbar