Bloomberg zbulon dokumentin e BE: “PO” negociatave me Shqipërinë

AKTUALITET


“Bashkimi Evropian do të autorizojë çeljen e negociatave zyrtare të pranimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, muajin e ardhshëm”. Kështu shkruan media prestigjioze Bloomberg, e cila i referohet një draft dokumenti të Bashkimit Europian, ku shkruhet se BE do të vlerësojë çeljen e negociatave për dy vendet e Ballkanit Perëndimor, duke “vënë bast që perspektiva e anëtarësimit në union do të ndihmojë në ankorimin e mëtejshëm të rajonit të Ballkanit të trazuar të kontinentit drejt Perëndimit”.

Në dokumentin e zbuluar nga Bloomberg shkruhet se dy vendet kanë përparuar me reformat, ndërkohë që vihet në dukje edhe fakti se shumë vende anëtare të BE-së vijojnë të jenë skeptike dhe të zhgënjyer nga shtetet që u pranuan më herët në Union.

“Në dritën e progresit të arritur në ecurinë e reformave”, në mbledhjen e ministrave të BE në Luksemburg në 15 tetor do të vendoset “hapja e negociatave të pranimit” me qeveritë e Tiranës dhe të Shkupit,- sipas një drafti të komunikatës së tyre që e ka parë Bloomberg.

Bloomberg shkruan më tej se deklarata edhe mund të ndryshojë, siç ndodhi më herët me një deklaratë të ngjashme, në të cilën nuk rekomandohej nisja e bisedimeve.

“Një shtyrje e ngjashme për të hapur negociatat e pranimit u vendos në qershor, pasi vende si Franca, Hollanda, Gjermania dhe Danimarka nuk pranuan. Qeveritë e shteteve perëndimore të BE-së janë acaruar nga dështimi i disa shteteve lindore që iu bashkuan bllokut në 2004; për të vendosur sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Kështu këta shtete janë të kujdesshëm të pranojnë anëtarë të rinj në unionin më të madh tregtar në botë, ku njerëzit, mallrat dhe shërbimet mund të lëvizin lirshëm”, shkruan Bloomberg.

“Në vendimin e qershorit për zgjerimin, BE tha se pranimi i anëtarëve të rinj duhet të marrë parasysh aftësinë e Unionit për t’i integruar ato.

Edhe pse bisedimet e pranimit zgjasin me vite – apo edhe dekada, si në rastin e Turqisë – dhe përfundimi i tyre nuk është i garantuar, fillimi i procesit është një fitore për qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Ky shtet investoi pjesën më të madhe të kapitalit të saj politik në një marrëveshje me Greqinë për të ndryshuar emrin kushtetues të ish republikës Jugosllave, me shpresën se kjo do t’i hapte rrugën anëtarësimit në BE.

Qeveria e re greke ka thënë se nuk pajtohet me marrëveshjen e bërë midis Maqedonisë së Veriut dhe paraardhësit të saj, por nuk do të kërkojë ta anulojë atë për shkak të nevojës për të ruajtur vazhdimësinë në marrëveshjet ndërkombëtare”, shkruan më tej Bloomberg.

Edhe në Shqipëri shpresat janë të larta që këtë herë BE të vendosë pro çeljes së negociatave, nisur kjo edhe nga vendimi i fundit i Bundesdagut gjerman. Vendimi i Gjermanisë pro çeljes së negociatave është parë si një shenjë pozitive që do të ndikojë edhe në vendimin që do të marrin shtetet e tjera skeptike si Franca apo Holanda. Bazuar edhe në dokumentin, të cilit i referohet Bloomberg, gjasat janë që BE të shkojë me një “po”, këtë herë, për Shqipërinë dhe Maqedoninë  e Veriut./realstory.al



Skip to toolbar