Bollino: Çështja FBI, drejtësia amerikane dhe barbarizmi inkuizitor i Berishës dhe Metës

Më të fundit


Hetimi amerikan ndaj agjentit të FBI-së Charles McGonigal ka bërë të shpërthejë me të gjithë humnerën e jashtëzakonshme distanca që ndan drejtësinë demokratike të Shteteve të Bashkuara nga barbarizmi inkuizitor i Sali Berishës dhe Ilir Metës. Duke injoruar çdo koncept të drejtësisë, që përgjithmonë e konceptojnë si një mjet hakmarrje apo tutelë personale, liderët aktualë të opozitës vazhdojnë të manipulojnë ato pak dokumente të bëra publike në Shtetet e Bashkuara për t’i përdorur në mënyrë totalisht të deformuar.  

Pika e parë për t’u sqaruar është vlera e tashmë të famshmit akt-akuzë, për të cilin flitet në çdo talk-show televiziv dhe konferencë shtypi. Ai është, pra, vetëm një akt-akuzë (në anglisht: indictment) dhe si i tillë duhet konsideruar; domethënë është pozicioni i akuzës dhe përmbledhja e provave të mbledhura prej saj. Dokumenti i publikuar është bërë nga një Gran Juri, pra nga një juri e përbërë nga 14-16 qytetarë që nuk shprehen për fajësinë e të pandehurve (në anglisht: defendant) por thjeshtë vlerësojnë nëse ka prova të mjaftueshme për të çuar çështjen para një gjykatë. Do të jetë vetëm gjykata ajo që do të vendosë nëse akuzat që përmbahen në “indictment”, janë prova krimi ose jo, dhe si rrjedhojë, nëse duhen dënuar ose jo të pandehurit. Kjo do të thotë që agjenti i FBI-së Charles McGonigal nuk është gjykuar akoma fajtor nga asnjë gjykatë. Eshtë një i pandehur në pritje të procesit.  


Akt-akuza nuk ka të bëjë me një tjetër dokument që ka qarkulluar shumë nëpër mediat dhe opozitën shqiptare këtë ditë: në anglisht quhet “subpoena” dhe është citimi që juria e madhe u dërgon dëshmitarëve që do të duhet të dëgjohen. Si formë garancie ndaj dëshmitarit dhe për të bërë efikas dhe të plotë marrjen në pyetje, në “subpoena” dëshmitari informohet paraprakisht mbi të gjitha argumentet për të cilat do të pyetet dhe ftohet të mbledhë të gjitha informacionet që disponon në prag të seancës dëgjimore.  

Siç vërehet, drejtësia amerikane parashikon një sërë garancish dhe tutelash ndaj qytetarëve si në rastin kur ata janë dëshmitarë të thjeshtë, apo edhe në rastin kur janë të pandehur. Kështu ndodh në të gjitha demokracitë e qytetëruara dhe kështu e parashikon edhe kodi shqiptar. Kjo vlen për të gjithë, përveçse për Berishën, Metën dhe ushtrinë e tyre të opinionistëve që prej ditësh përpiqen të trasformojnë këto garanci të drejtësisë amerikane një një inkuizicion barbar. Sipas meje, Edi Rama gabon që nuk paraqitet në debat në parlament, edhe pse është e kuptueshme që kërkon të qëndrojë jashtë sherrit që shkakton inkuizicioni, të cilit i intereson më shumë zhurma e hamendësive se qartësia e fakteve dhe e përgjigjeve. Provojmë të ripërmbledhim me pika se ku konsiston kjo barbari:

1. Ndryshe nga ajo që tregon Berisha dhe Meta, hetimet ndaj Charles McGonigal, janë mbyllur me 15 shtator 2022. Në fakt akt-akuza që ka përfunduar në media, shënon përfundimin e hetimeve para nisjes së gjykimit të vërtetë dhe jo fillimin e tyre. Aludimi siç po bën opozita se “nuk keni parë gjë akoma” dhe “kushedi se ç’tjetër gjë do të zbulojnë hetimet”, është thjeshtë një gënjeshtër. 

2. Ndryshe nga sa tregojnë Berisha dhe Meta, Edi Rama nuk është në hetim, edhe kur shprehen se Edi Rama “është i vetmi kryeministër në botë që qëndron në detyrë edhe pse është në hetim në Shtetet e Bashkuara”!!!, është çdo gjë false. Akt-akuza i përket ekskluzivisht agjentit të FBI-së Charles McGonogal dhe asnjë tjetri. Fakti që Edi Rama është përmendur 14 herë në aktin e akuzës, nuk ka të bëjë aspak me akuza në drejtim të tij, por vetëm me rindërtimin e ngjarjeve që i përkasin agjentit të FBI-së. Edhe viktimat citohen me dhjetëra herë në akt-akuza, por kjo nuk do të thotë që transformohen në të pandehur.   

3. Berisha dhe analistët e tij gënjejnë prej një jave edhe për një dokument tjetër të drejtësisë amerikane. Tregojnë një akt citimi (subpoena) të lëshuar nga Grand Juri për një dëshmitar dhe e prezantojnë si një vendim me të cilën urdhërohet hetim ndaj qeverisë shqiptare. Veç faktit se një qeveri nuk mund të hetohet (maksimumi hetohen ministra të saj me emër dhe mbiemër) këtu gënjeshtra është e dyfishtë sepse në realitet ai dokument fton dëshmitarin të cilit i kanë fshirë emrin (dhe jo qeverinë apo kryeministrin Edi Rama) të raportojë gjatë dëshmisë në Gran Juri, çdo komunikim të kryer mes tij (dëshmitar) dhe agjentit të FBI-së sa i takon argumenteve të ndryshme, përfshi ”qeverinë shqiptare, por edhe atë të Malit të Zi, të Bosnjës, të Kosovës, deri edhe misionin e Shteteve të Bashkuara pranë OKB-së”. Janë të gjithë të hetuar? Sigurisht që jo. Gran Juri kërkon të dijë nga dëshmitari nëse me agjentin e FBI-së është folur për ato argumente dhe çfarë kanë thënë. Edhe këtë herë objektivi i Gran Juri është të zbulojë çfarë ka bërë dhe ka thënë McGonigal, jo Edi Rama.  

4. Dikush thotë se meqë akt-akuza është dokumentuar deri në detaje mbi takimet me Edi Ramën dhe aktivitetet e zhvilluara nga agjenti i FBI-së edhe në Shqipëri, do të thotë se qeveria shqiptare është thirrur të japë llogari përballë drejtësisë amerikane mbi këto ngjarje. Veç faktit se nëse kjo do të ndodhte , maksimumi qeveria shqiptare apo kryeministri i saj do të ishin dëshmitarë për një krim të kryer nga të tjerë dhe jo të pandehur; këtu inkuizitorët e opozitës shtiren sikur nuk e dinë se para Gran Juri janë thirrur të dëshmojnë si Agron Neza ashtu dhe Dorjan Duçka. Madje janë ndër dëshmitarët kryesorë të hetimit. Jane ata qe kan folur dhe akti që kanë treguar çdo detaj të takimit me Ramën dhe lëvizjet e tjera të Charles McGonigal brenda dhe jashtë Shqipërisë, është një provë e kundërt me atë të komplotit: pra për ata nuk kishte asgjë për të fshehur.  

5. Opozita ngulmon të manipulojë edhe historinë e 225.000 dollarëve të paguar nga Agron Neza agjentit të FBI-së. Këtu inkuizitorët shkojnë përtej çdo gjëje të shkruar edhe në aktin e akuzës. Pasi shpikën se Edi Rama citohet në atë dokument si i pandehur, shpikin se ajo shumë tregohet në dokument si një ryshfet. E gjitha e rremë. Sipas Gran Giuri amerikane ajo shumë ishte vetëm një hua bërë nga Agron Neza (që mes të tjerave nuk ka qenë kurrë mik i Edi Ramës) agjentit të FBI-së. Dhe në fakt as agjenti i FBI-së dhe as Agron Neza nuk akuzohen për korrupsion. Agron Neza është vetëm një dëshmitar, pa asnjë akuzë. 

6. Eshtë fals edhe pretendimi se akt-akuza e shënon Edi Ramën si burim të FBI-së mbi skandalin e rublave ruse të paguara për Lulzim Bashën në Shtetet e Bashkuara. Siç e nënvizon edhe Neë York Times, është provuar tashmë se dekonspirimin e atij skandali (që sigurisht meritonte dhe meriton të denoncohet pa u konsideruar kjo gjë si krim) ishte lobisti i zgjedhur nga vetë Basha, Nick Muzini, që ia ka sinjalizuar Departamentit të Drejtësisë amerikane me 14 nëntor 2017. Më pas historia është investiguar nga uebsit investigativ BIRN me datë 22 nëntor 2017 nga ku u publikua dhe në mediat shqiptare. Në fund, vetëm me 25 nëntor 2017 Agron Neza, pasi e kishte lexuar nga shtypi lokal, ia ka referuar mikut të tij agjent të FBI-së.

 7. Me të njëjtën fantazi alegro, inkuizitorët e opozitës akuzojnë qeverinë edhe sepse ka përdorur agjentin e FBI-së Charles McGonigal se ka manipuluar Departamentin e Shtetit për deklarimin e Sali Berishës dhe të familjes së tij si persona “non grata” për korrupsion madhor dhe minues të demokracisë. Edhe kjo është e pavërtetë, ngaqë McGonigal është larguar nga FBI në shtator 2018 ndërsa vendimi i Departamentit të Shtetit mbi Berishën është në korrik 2021, pra tre vite më pas.  

Në pritje të procesit që do të duhet të vendosë nëse agjenti i FBI-së është fajtor apo jo, e përditshmja prestigjoze amerikane New York Times prej ditësh po vë në dyshim konkluzionet e Gran Giuri, pra ekzaktësisht të kundërtën e asaj që po bën opozita shqiptare. Për shembull, gazeta amerikane NYT vë në dukje se Charles MC Gonigal ka filluar të punojë me oligarkun rus Oleg Deripaska vetëm pasi është larguar nga FBI dhe në këtë mënyrë mund të bie akuza e tradhëtisë. Sa i takon marrëdhënieve të tij me Edi Ramën, gjithnjë NYT kritikon akuzën kryesore të bërë nga Gran Giuri ndaj agjentit të FBI-së, pra që kishte fshehur këtë marrëdhënie njohje: Sipas të përditshmes amerikane Charles McGonigal i shkruante Ramës duke përdorur e-mailin e tij zyrtar dhe komunikonte me numrin e telefonit zyrtar (mjete komunikimi që Byroja mund ti verifikojë) dhe të paktën një herë, Rama me ftesë të Mc Gonigal, ka vizituar edhe selinë e FBI-së në Neë York duke ja prezantuar kolegëve të tjerë. Mbi çfarë bazohet pretendimi se kjo marrëdhënie njohje ishte mbajtur sekrete? E megjithatë, e gjithë kjo i takon gjykatës amerikane ta vlerësojë. Nje detaj themelor për drejtësinë amerikane, por i parëndësishëm për barbarinë e inkuizitorëve shqiptarë të cilëve si gjithnjë nuk iu intereson përfundimi i procesit, por vetëm të dhënat paraprake për t’i diskutuar dhe manipuluar si dinë të bëjnë vetëm ata. Gënjeshtra dhe manipulimi janë specialitet i Sali Berishës që prej 30 vitesh i përdor si armë të shpifjes në masë. Fatkeqësisht edhe Ilir Meta, që në të kaluarën ka qenë viktimë, tani ka zgjedhur të njëjtën rrugë humbëse. E megjithatë, e gjithë kjo i takon gjykatës amerikane ta vlerësojë. Nje detaj themelor për drejtësinë amerikane, por i parëndësishëm për barbarinë e inkuizitorëve shqiptarë të cilëve si gjithnjë nuk iu intereson përfundimi i procesit, por vetëm të dhënat paraprake për t’i diskutuar dhe manipuluar si dinë të bëjnë vetëm ata. Gënjeshtra dhe manipulimi janë specialitet i Sali Berishës që prej 30 vitesh i përdor si armë të shpifjes në masë. Fatkeqësisht edhe Ilir Meta, që në të kaluarën ka qenë viktimë, tani ka zgjedhur të njëjtën rrugë humbëse.




Skip to toolbar