Ambasadori i OSBE në tiranë Bernd Borchardt ka deklaruar se lufta ndaj korrupsion është përkeqësuar në këto dy vitet e fundit në Shqipëri duke shënuar një rënie në Indeksin e Transparency International që prej 2016.
Borchardt vlerësoi përpjekjet e policisë dhe prokurorisë për t’i vënë njerëzit përpara drejtësisë gjatë viti të fundit, por kërkoi një qasje të shumanshme në këtë drejtim.
“Korrupsioni është një nga pikat kryesore të punës të Prezencës së OSBE-së. Shohim me keqardhje që Shqipëria ka pasur përkeqësim në këtë fushë gjatë dy viteve të shkuara. Shqipëria ka shënuar rënie në Indeksin e Transparency International që prej vitit 2016. Dimë që këtë vit janë bërë më shumë përpjekje nga policia, inspektimet dhe nga prokuroria për t’i vënë njerëzit përpara drejtësisë, por kjo është një çështje që kërkon një qasje të shumanshme.” tha Borchardt.
Këto komente ambasadori Borchardt i bëri gjatë çeljes së një ekspozite me teme korrupsioni në galerinë e Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tiranë.