Vettingu, shkarkohen kreu i Gjykatës së Tiranës dhe kreu i Apelit Shkodër

AKTUALITET


Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur sot të shkarkojë kreun e Gjykatës së Tiranës, Enkeledi Hajro dhe Kryetarin e Gjykatës së Apelit Civil Shkodër, Fuat Vjerdhja.

Vendimi i KPK-së për shkarkimin e Hajros, vjen pas seancës dëgjimore të mbajtur një javë më parë, ku komisioni u shpreh se subjekti i rikualifikimit kishte mungesë burimesh financiare për disa vite gjatë karrierës, si edhe paqartësi në deklarimin e një kredie dhe kërkesën për shtesën e një prone.


Treshja gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, përbëhej nga Olsi Komici kryesues, Roland Ilia relator dhe Valbona Sanxhaktari anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Maria Tuma.

Enkeledi Hajro ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë në vitin 1997 dhe Shkollën e Magjistraturës në vitin 2000. Ajo e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 si gjyqtare e Gjykatës së Shkodrës, ndërsa në vitin 2003 ka kaluar si këshilltare ligjore në Gjykatën e Lartë.

Po ashtu, pas dy seancash dëgjimore dhe një hetimi të dytë për kriterin profesional, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të hënën të shkarkojë nga detyra edhe Kryetarin e Gjykatës së Apelit Civil të Shkodrës, Fuat Vjerdha. Vendimi u shpall nga trupa gjykuese e drejtuar nga Olsi Komici, me relator Lulzim Hamitaj dhe anëtare Pamela Qirko, ndërsa Vjerdha e priti me qetësi shpalljen e tij.

Kryetari i Gjykatës së Apelit të Shkodrës u përball dy herë në seancë dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, më 6 maj dhe më 7 qershor. Gjatë vlerësimit të pasurisë, KPK konstatoi probleme të vogla me deklarimin e pasurisë dhe mungesë burimesh të ligjshme prej 1.6 milionë lekësh. Rihapja e hetimeve për kriterin profesional duket se e rëndoi pozitën e Vjerdhës, pasi KPK mori në shqyrtim lehtësimin e akuzave për Sokol Mjacajn në vitin 2010 dhe dy denoncime nga publiku.

Relatori i çështjes theksoi se Apeli e kishte ndryshuar dënimin e Mjacajt nga 10 vjet burg që kishte vendosur shkalla e parë, në 4 vjet heqje lirie. Pak kohë pasi ky shtetas doli nga burgu, ai ekzekutoi dy turistë çekë në Prekal të Dukagjinit.

Vjerdha e mbrojti procesin në Apel ndaj Mjacajt, duke e quajtur atë model. Ai ngulmoi se Sokol Mjacaj nuk kishte qenë bashkëpunëtor vrasjen e vitit 2010, ndërsa shtoi se për vrasjen e dy turistëve çekë ai u dënua me burgim të përjetshëm nga një trupë gjykuese ku pjesë kishte qenë edhe vetë.




Skip to toolbar