Braçe sfidon opozitën: Hapni kutitë, në 121 qendrat e mia nuk ka asnjë votë shtesë

Më të fundit


Zëvendëskryeministri Erion Braçe është i sigurt në rregullsinë e zgjedhjeve të 30 qershorit, aq sa i bashkohet thirrjes së Bindjes Demokratike dhe Kryetarit të KQZ-së, Klement Zguri, për të rihapur kutitë, duke sfiduar kështu edhe opozitën, e cila pretendon se mazhoranca ka mbushur kutitë me vota më shumë sesa ka pasur pjesëmarrës. “Pyesni KQZ pse nuk i hapën. Për mua t’i hapin, nuk do të gjejnë asnjë votë që nuk do të përputhet. Në 121 qendra votimi që unë kam mbuluar”, ka deklaruar Braçe.

Zëvendëskryeministri thotë në një intervistë për A2 CNN se Qeveria është legjitime dhe se kërkesave të opozitës për largimin e Ramës, mund t’i përgjigjen vetëm me dialog kushtetues. “Në gjykimin tim dhe në referencë të kërkesës së përsëritur të zotit Basha, nuk ka zgjedhje të parakohshme. Do të vazhdojmë të këmbëngulim për dialog, por duhet të kuptoni që qasja jonë duhet të jetë thelbësisht kushtetuese”.


E ndërsa numri dy i qeverisë flet për 30 qershorin që kaloi, Presidenti Ilir Meta flet për 13 tetorin e ardhshëm. Ironinë nuk e kursen aspak kur pyetet çfarë është 13 tetori për të. “Ditë vrapi në mëngjes, atje në park, e kam afër. U kujtova se ditën e diel zakonisht luan edhe Partizani”, thotë Braçe.

Megjithatë, zëvendëskryeministri kishte një lutje për Presidentin e Republikës, që të kursente kthimin në Parlament të ligjit të ndihmës ekonomike. “Të mos ta bëjë kurban të kësaj historisë së turpshme me beteja personale të këtyre muajve të fundit”.

Më tej, Braçe paralajmëroi një aksion të rëndësishëm në ditët në vijim për kuponin tatimor, ndërsa la të kuptohet se mund të rrëzohet kandidatura e propozuar nga Presidenti Meta për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Arsyeja? Sipas tij, nuk ka pasur konsultim Parlament-Presidencë.




Skip to toolbar