Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për Bujar Kusin babanë e dy djemve që akuzohen për vrasjen e Indrit Çelajt, ndërkohë që arrest me burg është vendosur edhe për personat e tjerë që tentuan të fshihnin ngjarjen.
Në burg janë lënë Bujar Kusi, babai i dy vëllezërve, të akuzuar për vrasjen e 26-vjeçarit dhe dy punëtorët e tjerë, Ferdinand Bakalli 41 vjeç dhe Ali Sula 43-vjeç, të cilët akuzohen për “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Ndërkohë për punëtorin tjetër Luan Çakën është lënë në masën detyrim paraqitje.
ReportTv bën të ditur se brenda sallës së gjyqit është dëshmuar se Indrit Çelaj është qëlluar fillimisht me armë pistoletë në tualetin e vilës së Bujar Kusit e më pas e hodhën jashtë banese me plagën e hapur në kokë. Kamerat e sigurisë të një lokali pranë vilës dhe kamerat e vetë vilës kanë dhënë për hetuesit prova të mjaftueshme për të ngritur akuza ndaj Albano dhe Griseldo Kusit, si të dyshuar për vrasje, ndërsa prej më shumë se 72 orësh ata janë në kërkim.
Shkak për ngjarjen është bërë një debat për montimin e kondicionerit me tone të ashpra mes Kusëve dhe Celajt.
Albano dhe Griseldo Kusi janë dy persona me rekorde kriminale në të shkuarën. Që të dy janë arrestuar dhe dënuar për krime të tilla si vrasje dhe plagosje me armë zjarri. Një ditë më herët Komiteti Shqiptar i Helsinkit i bëri thirrje KLP që të hetojë gjyqtarët dhe prokurorët që kanë lënë të lirë këta dy kriminelë.