“Burg Salianjit”, reagon Basha: Gjyq politik ndaj opozitës

AKTUALITET


Lulzim Basha reagoi të martën pasdite në lidhje me kërkesën e prokurorisë për dënimin për kallëzim të rremë të ish-deputetit demokrat Ervin Salianji. Kryedemokrati e quan pretencën e Prokurorisë për Salianjin, “gjyq politik kundër opozitës”, ndërsa thotë se dy prokurorët e dosjes “Babalja” janë përdorur nga Kryeministri Rama.

“30 vjet pas rrëzimit të diktaturës, Edi Rama rikthen në Shqipëri gjyqet politike kundër opozitës. Për të dënuar Ervin Salianjin, që denoncoi me fakte, përfshirjen e vëllait të Ministrit të Brendshëm në trafik droge, Edi Rama përdori dy prokurorë të korruptuar, Kolë Hysenaj dhe Genci Qana, që zbatuan sot skenarin e dështuar për t’i mbyllur gojën opozitës. Pretenca e dy prokurorëve të korruptuar është paracaktuar nga Edi Rama që të nesërmen e publikimit të skandalit”, thotë Basha.


Basha thotë askush nuk do të arrijë t`i mbyllë gojën Salianjit dhe opozitës. Sipas Bashës, beteja me krimin e organizuar do vazhdojë. “Askush, nuk do të arrijë kurrë t’i mbyllin gojën as Ervin Salianjit dhe asnjë përfaqësuesi politik të Partisë Demokratike. Beteja jonë me krimin e organizuar, dhe denoncimi i lidhjeve të krimit të organizuar me Qeverinë e Edi Ramës dhe shërbëtorëve të tij në drejtësi, nuk ka për tu ndalur”, shkruan kryedemokrati.

Prokuroria kërkoi të martën dënimin me 1.6 vite burg për ish-deputetit e PD, Ervin Salianji, dënim që duhet të konvertohet në 3 vite shërbim prove. Dënimi kërkohet për akuzën penale të “kallëzimit të rremë”, për dosjen “Babalja”, ku Ervin Salianji pretendonte se vëllai i ish-ministrit Fatmir Xhafaj, ishte i përfshirë në trafikun e drogës.




Skip to toolbar