Çfarë synon të bëjë Franca gjatë presidencës së saj të Këshillit të BE

BOTA


Nga Lucio Palmisano “Linkiesta

“Ne ishim presidenca e katërt e Këshillit të BE-së gjatë pandemisë së Covid-19, dhe bëmë të pamundurën për t’i zhvilluar fizikisht samitet më të rëndësishme”. Një presidencë, e cila nuk ka qenë aspak e lehtë siç dëshmohet nga fjalët e kryeministrit slloven Janez Jansa, president i Këshillit të BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2021.


Dhe siç ndodh çdo 6 muaj, tani stafeta i ka kaluar Francës, teksa presidenti Emmanuel Macron do të marrë drejtimin e këshillit deri në qershorin e këtij viti. Por kjo gjithmonë nëse francezët nuk zgjedhin një presidenti të ri në zgjedhjet e prillit.

Presidenca sllovene:Pak dritë dhe shumë hije

Gjashtë muajt e fundit ishin të veçantë për Slloveninë, vend që më 17 dhjetor 2021 analizoi përvojën e saj në krye të Këshillit të Bashkimit Evropian, i dyti që pas herës së parë historike në vitin 2008.

Në korrikun e vitit 2021, Ljubjana shpalli objektivat kryesore:një hap vendimtar përpara në procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian; një disiplinim më të madh në fushën e teknologjisë së informacionit, dhe zbatimin e Marrëveshjes së re të Gjelbër (Green Neë Deal).

Por siç ndodh shpesh, midis këtyre pikave të rendit të ditës ka pasur të tjera, të cilat në fund e kanë prishur rendin e prioriteteve evropiane. “Gjatë javëve të presidencës tonë, ndodhën shumë ngjarje të paplanifikuara apo të paimagjinueshme, si situata në kufirin midis Polonisë dhe Bjellorusisë, tërheqja nga Afganistani dhe kriza e vazhdueshme e emigracionit, rritja e çmimeve të energjisë dhe e disa lëndëve të tjera të para, dhe tensionet e javëve të fundit midis Rusisë dhe Ukrainës”- nënvizoi Jansa.

Kjo është arsyeja pse bilanci i kësaj presidence mbetet i vështirë për t’u deshifruar. Ndër sukseset që mund t’i atribuohet qeverisë së Lubjanës, janë miratimi i Aktit të Tregut Dixhital dhe Aktit të Shërbimeve Dixhitale, rregullore që do të vendosin një kontroll dhe garantojnë një transparencë më të madhe mbi botën dixhitale, duke vendosur rregulla të qarta për gjigantët e teknologjisë, veçanërisht në lidhje me kushtet e gjurmimit të të dhënave personale.

Por ka pasur edhe dështime dhe shumë probleme të pa adresuara gjatë 6 muajve të fundit. E para është çështja ballkanike. Pavarësisht samitit të tetorit midis institucioneve të BE-së dhe përfaqësuesve të Ballkanit Perëndimor (Serbisë, Bosnjës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Kosovës), anëtarësimi i tyre në Bashkimin Evropian duket ende i largët.

Madje raporti i këtyre vendeve me Brukselin është përkeqësuar, siç dëshmohet edhe nga trazirat në Prishtinë mes kosovarëve dhe serbëve për çështjen e targave; në Malin e Zi me kurorëzimin e një patriarku ortodoks të lidhur me Serbinë, dhe mbi të gjitha në Bosnje, ku është ende i lartë rreziku i një lufte civile midis Sarajevës dhe Republikës Sprska.

Afërsia e Sllovenisë me një rajon kaq problematik nuk e ka ndryshuar aspak rezultatin. Brukselin vazhdon që t’u premtojë një anëtarësim të paqartë vendeve ballkanike, por aktualisht ai po largohet, në vend se të afrohet me to. Situata nuk është më mirë as në frontet e tjera.

“Ne punuam shumë për paktin për migracionin dhe azilit, por për këtë nuk është bërë ndonjë përparim i madh. Është e rëndësishme të arrihet një marrëveshje për rregulloren “Eurodac”, e cila forcon kufirin e zonës Shengen dhe sigurinë tonë të përbashkët.

Por ka ende shumë çështje të pazgjidhura lidhur me këtë rregullore, dhe ky do të mbetet një terren i vështirë edhe për presidencën e ardhshme”- deklaroi Jansa. Një përgjigje më e prerë pritej nga BE edhe për Marrëveshjen e Re të Gjelbër dhe energjinë, ku pozicioni evropian është dukur shpeshherë i dobët.

Shembulli i fundit është rritja e çmimit të gazit e lidhur me mosmarrëveshjet me Rusinë, e cila ka dy fronte të hapura me BE-në:çështjen e Ukrainës dhe gazsjellësit “Nord Stream 2”.

Kjo e fundit mban ende të përçarë qeverinë e re gjermane.

Si të mos mjaftonte kjo, Sllovenia u përball me një tërheqje nga Parlamenti Evropian, i cili miratoi një mocion që kritikonte qeverinë e Lubjanës për “gjendjen e vlerave evropiane”. “Ne jemi shumë të shqetësuar mbi nivelin e debatit publik, klimën e armiqësisë, mosbesimit dhe polarizimit të thellë në Slloveni, e cila ka gërryer besimin në organet publike dhe midis tyre”- thanë eurodeputetët, të cilët nënvizuan sulmin e vazhdueshëm të autoriteteve ndaj mediave të pavarura në vendin e vogël ballkanik.

Presidenca franceze

Zgjedhjet do të prekin edhe kreun e ardhshëm të Këshillit të BE, francezin Emmanuel Macron. Në fakt, në datat 10 dhe 24 prill do të mbahen dy raundet e zgjedhjeve presidenciale në të cilat Macron, edhe nëse nuk është ende kandidat, cilësohet si një garues i sigurt dhe një fitues i mundshëm.

Në këtë garë, një dorë mund t’i japë Evropa dhe Presidenca e Këshillit të BE-së. Synimi i Macron është ta përdorë Brukselin si një armë kundër atyre që mbështesin idenë e rënies së peshës gjeopolitik të Francës në arenën ndërkombëtare, siç pretendojnë shpesh Eric Zemmour dhe Marine Le Pen, dhe për të treguar se sa e rëndësishme është ende Franca në Evropë.

“Ne duhet të imagjinojmë një model të ri evropian, në të cilin krijimi i vendeve të reja të punës dhe lufta kundër papunësisë masive, duhet të jetë një obsesion i vërtetë”- deklaroi Macron.

Një interpretim tejet francez i temës, duke qenë se flitet për “punë të ndershme”. Por kjo do të thotë edhe se direktivat e BE-së për pagat minimale dhe transparencën e pagave, të cilat synojnë t’i japin fund hendekut midis grave dhe burrave, do të jenë në qendër të presidencës franceze.

Gjithsesi, fushëbeteja reale do të jetë çështja e emigracionit, që ndan si vendet evropiane ashtu edhe partitë franceze. Një pjesë e madhe e fjalimit të presidentit më 9 dhjetor mbi prioritetet e presidencës franceze, iu kushtua reformës së Shengenit, me “krijimin e një hapësire politike me takime periodike të ngjashme me atë të eurozonës”, tha presidenti.

Pra një pozicion krejtësisht i ndryshëm nga ai i së djathtës.

“Unë besoj se Shengen duhet të reformohet duke rishikuar direktivën mbi dëbimin, duke sistemuar kontrollin biometrik të gjithë atyre që duan të hyjnë në territorin tonë, dhe duke përshpejtuar rekrutimin e 10 mijë rojeve kufitare të Frontex-it”- shkroi Valerie Pécresse, kandidate e Republikanëve për presidencën në një artikull të saj në gazetën “Le Monde”.

Një çështje tjetër veçanërisht e dashur për presidentin, është rishikimi historik i asaj që ndodhi në shekullin XX, duke qenë se si jashtë (Rusi, Hungari, Poloni) dhe brenda vendit (Zemmur) po përpiqen që ta rishkruajnë atë.

“Ne duhet të krijojmë një kornizë akademike, në të cilën historianët nga e gjithë Evropa mund të vazhdojnë të kryejnë një punë të pavarur historike, bazuar në gjurmë, prova dhe polemika.

Shpresoj që në qershor të vitit të ardhshëm, në Francë, një komitet i pavarur shkencëtarësh të fillojë të shkruajë një histori dhe një historiografi të Evropës sonë”- argumentoi Macron. E ardhmja e Evropës do të kalojë edhe përmes këtij proceski. /abcnews.al




Skip to toolbar