Nga Frrok Çupi
As që do t’ia dinim për moshën e tyre nëse këta sot nuk do të ishin 100 vjeçar. Kanë një shekull në politikë dhe që i kanë zënë rrugën brezit të tyre. A s’e keni dëgjuar në çdo dasmë e vaki ku njerëzit flasin pse nuk ka alternativë, ‘po ç’u ba me këtë moshë që nuk doli kush i hajrit’. S’është fjala se janë këta të dy që e kanë bërë me fjalë: ‘hajde t’u dalim e t’ua zëmë shtigjet’.
Jo, nuk është kështu; edhe pse që në shpërgënj janë së bashku. I mbaj mend kur të dy ishin në kupolën e shtetit, njëri krye e tjetri zëvendës i kryetarit të qeverisë. Pandi ishte kryeministër nga shkurti 2002 deri në verë po 2002, ndërsa Meta ndihmës i tij. Por në të njëjtën zyrë i kam gjetur dhe mu shfaqën si dy vogëlushë që kishin vënë përpara lodrën e shtetit dhe kënaqeshin. Tmerrësisht të lumtur.
Këta janë plakur njësoj dhe së bashku me gjithë brezin e tyre; ky është problemi. Brezi pati modele të dështuar. Sidoqoftë këta dëshmojnë arketipin e atij brezi që nuk ke ku e vë gishtin. Megjithatë nuk kishim pse i sillnim në ‘radar’ nëse që të dy, njëherësh, të mos shfaqeshin njësoj:
Majko shfaqet pesë herë në ditë në siglat e një televizioni tek i jep fytyrës një pamje sa komike edhe frikësuese dhe thërret ‘Ah ta lumsha Albin Kurti!’. Ta lumsha!, dmth., që po i tregon vendin Amerikës! Dy ditë më vonë lavdëron Edi Ramën për partnershipin exelent me Amerikën. Edhe Meta i ‘Lirisë’ po të njëjtën gjë: Lavdëron NATO-n, por i tregon ‘shqiponjën’ Amerikës. Sikur të ishin të dy së bashku në zyrën e parë të qeverisë, vajmedet ç’do ta gjente ‘shtetin lodër’. Mirëpo Bibla thotë se ‘zoti të jep aq sa mban’ dhe kombi ynë nuk meriton të dalë nga ligjësitë biblike.
Që në fillesa, së bashku dhe njësoj:
Të dy u shfaqen si ‘antikomunistë’ bashkë me studentët që i kërkuan pluralizëm presidentit Alia. Mirëpo pas kësaj bënë llogaritë; hipën mbi një parvaz të qytetit Studenti dhe vrojtuan ku ishte radha më e gjatë. Socialistët ishin braktisur dhe radha aty ishte me tre a katër ‘shishe qumështi’. Atëherë këta qëndruan këtu; atje te Demokratët ‘kushedi kur u vinte radha’.
Edhe në ideologji ishin njësoj:
Të dy sikur kishin ngrënë librat e letërsisë sovjetike, që nga Turgenievi deri te Gorki. Fjalori i tyre ka diku te 40-50 fjalë, i gjithë libri me fjalë lufte ose vulgariteti. Edhe në mimikë u ngjajnë ‘Aljoshave’, ushtarëve heroikë të Ushtrisë së Kuqe; Pandi ka më shumë grimasa dhe kostume, ndërsa Iliri është një rus i stilit të ri me mace e me brekë plazhi.
Të dyve u del patriotizmi nga hundët:
Ilirit i ka qëlluar keq se që nga vegjëlia nuk e mësoi dot shkronjën ‘sh’ dhe Shqipërinë e quan ‘Scipëria’, gjë që nuk e tregon burrë të fortë e patriot; sidomos kur thërret ‘Kustetuta e Scipërisë’. Ndërsa Pandi nuk e beson kurrë se akoma nuk është bashkuar Shqipëria me Kosovën. Madje për këtë bëri edhe krushqinë e të vëllait në Prishtinë.
Të dy, njësoj, vuajnë nga ‘babai i munguar’.
Jo se nuk i kanë baballarët, por gjithnjë kanë kërkuar për ‘baba’ udhëheqësin e fortë. Të dyve u shkon goja lëng që të takojnë Sali Berishën, madje edhe tani që ky është i arrestuar. Sipas kësaj sjelljeje, me siguri kanë mbajtur në xhepa foton e Enver Hoxhës dhe të El Chapos. Sa për Ilirin, dihet që nuk do me ia pa sytë Rexhepit të tij; ndërsa Pandi u rrit me mbiemër ‘mamaje’.
Të dy u kanë ngritur mite grave të tyre:
Pandi thotë se e shoqja nuk denjon as të fluturojë me avion në qiellin mbi Serbi. Ndërsa Meta e mban gruan ‘siç nuk je për grua’, sipas Agollit. Ky ka dy Monika, njërën politikane që nuk ka lidhje, dhe një tjetër që ka qenë ‘one upon a time’.
Të dy e kanë lidhur varkën e politikbërjes diku jashtë kufirit:
Majko e ka më të thjeshtë, sepse dihet që as ka abuzuar e as ka vjedhur aq sa ‘wow!’. Shumë- shumë mban ‘për bishti’ neomarksistët e Kosovës e sidomos Albinin. Ndërsa Meta i ka nervat jashtë, për punën e parave që siç po del edhe nga sekuestrimet në SPAK dhe nga dosjet nën hetim, shumicën i ka fshehur nëpër botë. Kësaj i shërben çdo lëvizje e Metës kur del jashtë kufijve.
Në politikën nacionaliste, Meta me Majko kanë njëfarë kundërshtie mes njëri tjetrit, me sa duket të ‘rregulluar me dorë’. Ndërsa Majkos i shkon dora deri në Kosovë; Meta shkon pak më tej- në Beograd. Iliri ishte vetëshpallur si miku më i ngushtë i kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjingjiq. Edhe pas vrasjes së tij, Meta i shkonte në shtëpi gruas dhe fëmijëve; derisa u përfol sikur ky kishte gisht në vrasjen e kryeministrit serb. Kurse Kurti i Kosovës e ka idol kryeministrin e vrarë, këtë vit lëshoi edhe alarmin fals se ‘po më vrasin’. Kishte për model pikërisht vrasjen e Gjingjiq, vrasje që e ktheu në hero ndërkombëtar.
… As që do të më duhej të përshkruaja profilet, sikur modeli i tyre të mos kishte zënë rrugën e brezit.