Çupi: Megjithatë, Sali Berisha tha dy të vërteta

Më të fundit


Nga Frrok Çupi

Dje, Sali Berisha, ish president në kohë të errëta, hipi me këmbët e veta drejt e në podiumin e konferencës për publikun. Kjo ndodhi vetëm pak orë para ‘vdekjes’ së fundit. Them ‘para vdekjes së fundit’, sepse dhjetëra herë është thërritur në Prokurori e Gjykatë, herë si dëshmitar, herë si i dyshuar e herë si autor krimesh, por kurrë nuk iu bind ligjit dhe ‘mbijetoi’. Është hera e fundit, pak orë para se Këshilli Parlamentar vendosi t’i hiqte imunitetin parlamentar dhe të niset drejt arrestimit.


Po pse them se ‘erdhi me këmbët e veta’?. Me çfarë tha e çfarë solli si imazh në atë tribunë, Sali Berisha dukej se vinte nga një ëndërr e shkuar ose nga një kontinent tjetër ku shteti bie të flejë pas mesnate dhe nuk zgjohet i gjallë në mëngjes. Në avujt e alkoolit si edhe në kllapinë e burgut, njeriu nxjerr nga barku të zezën që e ka mbyllur aty përjetë.

Saliu, të paktën dëshmoi dy të vërteta.

E para,

tha se ka ndodhur që ta marrë pushtetin ‘me 30 vetë, 30 demokratë’. Aty i ndezi nja 70 a 80 demokratë që e kishin rrethuar ‘gjasme në protestë për demokraci’. Por e vërteta është e vërtetë: Sali Berisha është mbështetur te një duzinë militantësh, që mund të ishin edhe 30 vetë. Këta ishin besnikë për jetë a vdekje, këta vrisnin njerëz, grabisnin pasuri, rrëmbenin tanke në Gardën e Republikës dhe ia sillnin Saliut para këmbëve në PD, nxirrnin në pritë Azemin, vrisnin Haklajt dhe u dhunonin varret, vrisnin protestuesit në oborrin e selisë së qeverisë… Disa prej tyre dje u rreshtuan gjashtë e gjashtë në të dy anët e Mercedesit për ta mbyllur Berishën në shtëpi.

A e ka marrë Berisha pushtetin me këta 30 vetë?

Pasi humbi gjithçka, madje zhyti mbarë vendin  në vitin 1997-98, Berisha nisi të ligjërojë parullën se ‘me 200 militantë të armatosur nga Mamurasi marr pushtetin!’. Në sallën e Parlamentit ka deklaruar se ‘Jam Sali Berisha unë, o budallenj’, duke iu drejtuar qytetarëve të Shqipërisë se ‘u bëj atë që nuk ua pret mendja’. Në zyrë mbante 4 armë snajper dhe me gisht në këmbës- deklaron ai. Në studiot televizive, edhe pas heqjes së imunitetit parlamentar, të afërmit e tij po deklarojnë se ‘Berisha nuk dorëzohet, vetëm kur ta vrasin!’. E gjitha është atmosfera e ’30 vetëve’ për marrjen e pushtetit. Me psikozën e frikës, me armë, me vdekje, me një grusht njerëz kundër popullit…, kështu ka udhëtuar prej 30 vjetësh nëpër jetën e vendit Sali Berisha. Kur hipi në tribunë ai vinte nga avujt e kësaj ëndrre, që dikur e kishte pasur realitet nëpër duar. Njëkohësisht ai jeton në realitetin e një kontinenti tjetër ku kryhen grushte shteti brenda natës. I fundit: Në 26 Nëntor, në Sierra Leone ndodhi që ‘30 vetë’ sulmuan dhe morën kryeqytetin Freetown…

Ja këtë të vërtetë tha Saliu.

E vërteta e dytë,

ai nxori në shesh të vërtetën se ishte akuzuar për ‘Krime kundër Njerëzimit’. E tha dje në konferencën me publikun. Madje dëshmoi edhe rrethanat. ‘Më akuzuan gjashtë muaj para se të akuzonin Sllobodan Millosheviçin për të njëjtën akuzë!’, tha Berisha.

Kjo është e vërteta që ka fjetur që nga viti 2000. E vërteta e Berishës ‘për krime kundër njerëzimit’ u zgjua tani bashkë me dosjen penale për krime të tjera. Sali Berisha është një bashkëpunëtor i ngushtë i kasapit të Ballkanit, së bashku thyen marrëveshjet ndërkombëtare dhe furnizuan një ushtri gjakatare që hodhi në luftë gadishullin dhe zhyti në mizori popullin e Kosovës. Në vitin 2002, presidenti i Serbisë Milloshevic u soll para Gjykatës në Hagë. Ndërsa Ratko Mlladiq dhe Radovan Karaxhiç, të akuzuar edhe këta për ‘krime kundër njerëzimit’, u dorëzuan disa vite më vonë. Berisha dje tha një të vërtetë të dytë, ai është akuzuar për ‘krime kundër njerëzimit’, krahas këtyre të treve. Në vitin 2005, makinacione po kaq të egra, e sollën Berishën në pushtet në Tiranë (me 30 vetë), dhe vetëm tani ai po dëshmon historinë e tij. Tani kur ndodhet në dyer të burgut.




Skip to toolbar