Çupi: Sapo shikon arkivol, i ngrihen puplat

Më të fundit


Nga Frrok Çupi

E pashë që nga larg tek nuhati erën e mikrofonave, dhe la gjithçka që kishte ‘në duar’; u avit si një dem te i vdekuri. Shtyu artistin tjetër si një gjethe të thatë, dhe nisi vetë.


Sali Berisha ka hyrë ose hyn në marrëdhënie me të tjerët (individë, ligj, tokë, para, klubin Partizani, bregdetin, PD-në, naftën, piramidat…), vetëm nëse i zotëron. Në pozitat e larta që kishte, bëri gjithçka që t’i zotëronte të gjitha. Për t’i bërë të kontrollueshëm, i ktheu në të vdekur.

Kjo është substanca e Nekrofilit.

Sali Berisha iu avit mikrofonit të gazetarëve dhe arkivolit të aktorit sepse iu ngritën puplat. Përtej të vdekurve, një jetë të tërë, ai pikas pushtet; dmth fuqi, sundim, mbivendosje.

Ky që ndodhi pardje para Muzeut Kombëtar ishte akti i fundit.

Dy aktet e tjerë, po kaq publikisht, kanë ndodhur në dy periudha të tjera të jetës së vendit; dhe kanë shënjuar jetën e vendit.

Akti i dytë ka qenë 14 shtatori i vitit 1998. Vrasjen e Azem Hajdarit, bashkëfshatari i tij Berisha, e përjetoi në tri gjendje emocionale:

Gjendja e parë- frika nga Haklajt.

Gjendja e dytë gëzimi për eliminimin e Hajdarit.

Dhe gjendja e tretë- emocioni i demit para toreadorit me shaminë e kuqe. Situatën e tretë e përjetoi vetëm në momentin kur sytë i panë arkivolin. Në atë çast iu errën sytë, iu ngritën puplat për pushtet dhe nisi sulmin mbi shtetin. Me arkivolin e Azemit, si një çekiç gjigand, goditi portën e selisë së qeverisë, derisa ra përmbys. Pas kësaj sulmoi ambasadën amerikane dhe televizionin kombëtar. Arkivoli i ‘heroit’ mbeti i harruar në rrugë, as i duhej më kurrgjë.

Ndërsa akti i parë ndodhi në periudhën e diktaturës komuniste, regjim që s’e llogariste nekrofilinë as si fenomen. Vrasja e kryeministrit Mehmet Shehu i shërbeu për të bërë kthesën më të fortë në jetën e tij. Dëshmitarë të asaj periudhe, në pushtet, ngjitjen e shpejtë të Berishës në PD e lidhin pikërisht me datën 18 dhjetor 1981. Nisi besimi… Më pas, e veja e Hysni Kapos hodhi dyshime mbi ‘doktorin e zemrës’ se kishte ‘përshpejtuar vdekjen’.
E fundit ishte kjo, me vdekjen e aktorit Mirush Kabashi.

Momenti i rrëmbimit të mikrofonit para një aktori tjetër, iu fantaks si moment triumfi. Në momentin kur është i thërritur para gjykatës për krime penale, Berishës i ngrihen puplat e ‘fitores’ para arkivolit (!).

Po vërtet e çuditshme! Dhjetëra pyetje bëhen edhe para një akti si ky:

Çfarë shikojnë këta lloj ‘të sëmurësh’ te vdekja? Ku ndryshon i vdekuri nga i gjalli, sipas këtyre ‘të sëmurëve’?

Përgjigjet i ka dhënë koha qëkurse njeriu jeton me vdekjen:

‘Të sëmurët’ për pushtet i shikojnë të vdekurit mes luleve dhe fjalimeve. Të gjallët nuk e kanë këtë fuqi të madhe…

Të gjallët nuk marrin kurrë aq lule, as aq lot, as aq psherëtima, as flitet për ta kaq sa në varreza.

Të ‘sëmurët’ për pushtet e dinë ku i gjejnë këto fuqi. Madje edhe të gjallin e shikojnë të transformuar, jo ashtu siç është. Çfarë i duhej Azemi i gjallë? Apo Pjetri?, apo Gazidede?, apo Zhulali?, apo edhe Mirushi?

Nekrofili ndërhyn arbitrarisht te i vdekuri; ndërhyn sepse nuk ka nevojë ta pyesë. Madje as t’i marrë leje që ta pikturojë trupin e tij ose edhe ta dekorojë. Të gjithë të vdekurit e Berishës janë mbuluar me lavdërime; edhe artisti- ky i fundit, por të vdekur. Asnjëherë nuk i pyeti nëse e donin ‘dekoratën’, që mund të jetë një ‘turp’.
A nuk qenka turp ky i fundit që e shpalli Kabashin anëtar të PD, dhe në ‘krahun e Berishës’.? Ai mund të mos e donte. Po kush e pyet të vdekurin?




Skip to toolbar