Çupi: Vazhdoni zotërinj, drejt e në ferr

Më të fundit


Sa më shumë shtyheni, ju të dy, e dyqind mija pas jush, drejt humnerës, aq më tepër klima për njeriun bëhet më e mirë në këtë vend. Ju të dy, besoj e dini emrin tuaj, një Sali e tjetri Ilir. I kishit mbirë këtij vendi në një cep tjetër, por iu ngulët në ballë. Tani keni mbërritur poshtë, aq poshtë, shkallë si shkallët e Dantes.

Edhe sikur lojë të kishte bërë kryetari i kaluar i Bashkisë në Kukës, duke hapur rrugë për zgjidhje të reja, aq mirë do të kishte bërë. Sikur edhe lojë të kishte bërë… Aq më shumë në Kukës. Në Kukës, për disa arsye:
Arsye se Kukësi, aq sa i bukur e mahnitës, ka edhe male e gremina ku ferri mund të duket si një shëtitje me varkën e imagjinatës. Ata që ia shpifin, Kukësi i dërgon andej nga humnerat e Borjes e të Shishtavecit.
Kukësi ka edhe liqen. Në atë liqen të krijuar nga njeriu, Kukësi lan mëkatet e veta. Se edhe populli bën mëkate e bën zgjedhje të gabuara, por i vetmi është populli që ka të drejtë të gabojë, sepse e paguan vetë. Kur kanë thënë ‘djemtë e Londrës’ se do të zbresim me avionin e Ramës, por do të votojmë Berishën, menjëherë pas kësaj i janë drejtuar liqenit dhe kanë mbytur mëkatin.

Kukësi kishte edhe një arsye tjetër për të bërë zgjedhje sapo mbaroi një palë zgjedhjesh: Sepse Kukësi është konsideruar ‘gjëja prapa shtëpisë’ e Partisë së Berishës; domethënë gjëja që përdorej sa herë i duhej dhe prapë lihej atje përtej. Saliu e kishte quajtur të veten edhe Kukësin, edhe Vicitolin, edhe Tropojën… Me këtë rast, që Saliu humbi thellë ‘në humnerë’, ra edhe ‘kulti i budallenjve të dobishëm’ që ka ndërtuar Saliu. Me këtë emër i ka quajtur Berisha ata që i shkojnë pas qorrazi.

Tani ja ku jemi: U bënë dje zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë dhe, ndër 13 mijë gjithsej, 9 mijë burra e gra votuan kundër Saliut. Edhe ‘djemtë e Londrës’ erdhën vetë a çuan fjalë “mos u bëni budallenj!’.

Jemi tani në një pikë kur po mendojmë se kjo qënka rruga: Të përsëriten zgjedhjet në çdo bashki, të përsëriten një herë, tre herë e pesë herë derisa të vijë koha ligjore. Se duke u bërë zgjedhjet një herë në pak muaj, lahet më shumë bërllok. Zgjedhjet qenkan lavatriqja për të pastruar zhavorrin e grupimeve të Saliut dhe Ilirit. Mund të mos ngelet asnjë guralec në atë zhavorr, sepse e tëra andej është e pistë, por besoj se kjo është edhe rruga më e mirë.

Prej kohësh ka nisur pjesëtimi i Partisë së Berishës, e prapë pjesëtohet si një amebë. SA më të vogla të bëhen pjesët në atë grupim të tmerrshëm politik e njerëzor që i shkaktoi vendit tmerre, aq më mirë do të jetë për vendin. Një copë e ka Iliri, një copë Salihi, një copë Bardi, një copë I ziu, një copë Luli…, kështu po, kur bëhen të gjitha së bashku dalin zero. A nuk ndodhi kështu në Kukës? ‘Bashkë fitojmë!’, deklaruan pesë a gjashtë pjesë të ‘amebës’ se do të fitojnë, por u tretën në liqen…

Kam dëgjuar e dëgjoj njerëz të mirë e të lodhur që ankohen nga tmerri kur i shikojnë këta dy njerëz…, dhe thonë : “Po sa kohë, mor vëlla, do t’i kemi para syve?”. E çojnë muhabetin te Drejtësia pse nuk i mbyll këta fajtorë të mëdhenj të fatkeqësive të vendit…

Tani, më në fund, edhe zgjedhjet e Kukësit, dëshmuan se ‘shkallë pas shkalle këta po shkojnë në ‘Ferrin e Dantes’. Kjo është mënyra më e mirë për të gjithë. Ky është një spektakël tek i shikojmë fajtorët që paguajnë nga e vetja.
Vazhdoni zotërinj, drejt e në ferr.



Skip to toolbar