Defender21, shefi i shtabit të FA: Ju them gjeneralëve se nuk do të zhgënjehen nga ne!

AKTUALITET



Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bajram Begaj, mbajti fjalën e tij në nisje të stërvitjes më të madhe ushtarake të NATO “Defender Europe 21”, në Portin e Durrësit.

Gjeneral Begaj vlerësoi zhvillimin e kësaj stërvitjeje të trupave të NATO-s në Shqipëri, ku tha se është e një rëndësie të lartë jo vetëm për përmasat, por edhe për mesazhet që përcjell.


Mes të tjerash, Begaj theksoi se përzgjedhja e Shqipërisë për të zhvilluar këtë stërvitje vë në dukje strategjinë e saj, por edhe mundësinë për të testuar të gjitha kapacitetet.

“Ju uroj mirëseardhjen dhe ju uroj për praninë tuaj. Ndihemi i lumtur dhe krenarë që sot jemi këtu për të shënuar një nga ngjarjet më rëndësishme të forcave tona. Është e një rëndësie të lartë kjo stërvitje, jo vetëm për përmasat, por edhe për përmasat që përcjell. Rreth 23 mijë trupa do zhvillojnë njëherazi manovra. Kështu synohet rritja e gatishmërisë dhe ndërveprueshmërisë së aleatëve të NATO dhe vendeve partnere, edhe në kohë të pasigurta, sikundër është pandemia. Kjo stërvitje përbën thelbin e mbrojtjes kolektive. Shqipëria dhe FA kanë nderin dhe përgjegjësinë të ofrojnë mikpritjen për këtë stërvitje. Përzgjedhja e Shqipërisë vë në dukje strategjinë e saj, për të testuar të gjitha kapacitetet tona.

Do të kemi pamje më të qartë për kryerjen e investimeve strategjike në të ardhmen, për zhvillimin e forcave tona. Ky angazhim i yni është shprehje e besimit të SHBA për Shqipërinë dhe NATO. Ajo provon se ne jemi të përgatitur për t’u mbrojtur e krijuar stabilitet. Prezenca e gjeneralëve të nderuar amerikanë është dëshmi e qartë e mbështetjes së SHBA për Forcat tona të Armatosura dhe Shqipërinë. “Shqipëria godet më fort, se sa pesha e saj”. I siguroj gjeneralët amerikanë se nuk do të gjejnë zhgënjim te ne. Për ne shtëpia është e mikut. Jam mirënjohës ndaj autoriteteve shtetërore për mbështetjen. Besoj se me profesionalizimin dhe përkushtimin tonë do t’i hapim rrugë zhvillimit të aktiviteteve të tjera me këtë përmasë”, tha gjeneral Begaj.