Demokratët në panik nga paraqitja e dobët e Biden në debatin e parë presidencial

BOTA


Aleatët e Presidentit Biden dëshironin mbi të gjitha që ai të demonstronte gjatë debatit se ishte i fortë dhe plot energji, për t’u dhënë fund pikëpyetjeve të ngritura rreth aftësive fizike dhe mprehtësisë mendore të demokratit 81-vjeçar.

Por Presidenti Biden nuk i përmbushi pritshmëritë e tyre modeste në arenën më të madhe të politikës amerikane.


Në fund të debatit 90 minutësh, aleatët e presidentit demokrat, hartuesit e strategjive dhe drejtues të tjerë të fushatës i zuri paniku pas vështirësive që zoti Biden shfaqi gjatë debatit, pauzave të pakëndshme dhe një të folure të zbetë që shpesh ishte e vështirë të kuptohej.

Publikisht dhe privatisht, demokratët ngritën pikëpyetje nëse partia mund, ose duhet ta zëvendësojë zotin Biden si kandidatin e Partisë Demokrate në zgjedhjet e nëntorit përballë ish presidentit 78 vjeçar, Donald Trump.

“Unë nuk jam e vetmja që po i thyhet zemra tani. Ka shumë njerëz që e panë debatin sonte dhe u ndjenë tmerrësisht keq për Joe Biden-in”, tha ish-Senatorja demokrate Claire McCaskill për rrjetin MSNBC.

“Nuk e di nëse mund të bëhet diçka për ta rregulluar këtë situatë”.

Për momentin, pyetja kryesore për zotin Biden është nëse dëmi është i përhershëm. Por shumë votues ende nuk e kanë përqendruar krejtësisht vëmendjen tek votimet e nëntorit. Presidenti Biden dhe aleatët e tij kanë miliona dollarë që ende nuk i kanë përdorur për reklama dhe fushatë intensive në shtetet e pavendosura.

Por ka raste kur një kandidat e ka rikuperuar fushatën pas një paraqitje të dobët në debatin me rivalin. I tillë ishte dhe rasti i debatit të Presidentit Barack Obama në vitin 2012 me kandidatin republikan, Mitt Romney. Senatori demokrat John Fetterman mundi rivalin republikan në vitin 2022 pas një debati të vështirë, ndërsa zoti Fetterman kishte kaluar një goditje në tru.

Ekipi elektoral i Presidentit Biden shpresojnë, që në fund të fundit, votuesit do të mbështesin një politikan 81-vjeçar, që gëzon vlerësime të dobëta për punën e tij, në një ri-përballje që pak amerikanë e duan.

Pavarësisht këtyre, ekipi i zotit Biden këmbënguli se presidenti ishte në një pozicion unik për të ndaluar kthimin e zotit Trump në Shtëpinë e Bardhë, sikurse bëri katër vjet më parë.

Prej kohësh ata kanë parashikuar se mbështetja për Presidentin Biden do të rritej ndërsa fushata demokrate të theksonte mjaftueshëm udhëheqjen kaotike të zotit Trump.

Por pas paraqitjes së dobët të zotit Biden në debatin presidencial, shenjat janë të pakta se ekziston një besim i tillë.

“Ishte një fillim i ngadaltë. Kjo është e qartë për të gjithë. Unë nuk do të debatoj për këtë pikë”, tha Zëvendëspresidentja Kamala Harris në një intervistë për rrjetin CNN pas debatit.

“Por ajo që ka rëndësi është alternativa në nëntor, këto janë një nga zgjedhjet më të rëndësishme të jetës tonë”.

Mbështetësit e Presidentit Biden u përpoqën të shmangnin komentet pas debatit në Atlanta kur u pyetën nga gazetarët. Ata vunë në dukje një listë të gjatë pohimesh të rreme nga zoti Trump gjatë debatit. Gjatë debatit, zoti Trump nuk doli kundër atyre që shkaktuan trazira në ndërtesën e Kongresit amerikan më 6 janar të vitit 2021.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, një kandidat i mundshëm për president në të ardhmen dhe mbështetësi kryesor në debatin në Atlanta, u bëri thirrje demokratëve që të mos i zërë paniku.

“Unë mendoj se është e padobishme dhe e panevojshme. Duhet ta mbajmë kokën lart”, tha zoti Newsom në një intervistë për rrjetin MSNBC.

“Ne duhet ta mbështesim këtë president. Ne nuk dorëzoheni për shkak të një debati. Kush e bën këtë?”

Megjithatë, shenjat e ankthit ishin të dukshme mes demokratëve, ndërsa disa prej tyre kanë dalë hapur me idenë për të gjetur një alternativë tjetër për zgjedhjet e nëntorit./voa




Skip to toolbar