Pezullohet puna e gjykatave në Durrës, Tiranë e Lezhë

AKTUALITET


Dëmtimeve nga tërmeti nuk i kanë shpëtuar as godinat dhe instutucionet publike. Veç shkollave, çerdheve, godinave qeveritare, janë dëmtuar edhe godina të sistemit të drejtëisë. Në Tiranë, Durrës dhe Lezhë, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi pezullimin e punës së gjykatave deri në inspektimin e plot të godinave nga specialistët.

“Pezullimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në gjykatat të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tyre në qarqet Durrës, Tiranë dhe Lezhë, për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të ndodhur nga tërmeti i datës 26.11.2019”, thuhet në vendim.


Ndërkohë, KLGJ shton se: “Përjashtohen nga efektet e këtij pezullimi veprimtaria dhe shërbimet gjyqësore, që lidhen me çështje me natyrë të ngutshme, shqyrtimi i të cilave mund të zhvillohet edhe në ambiente të tjera jashtë gjykatës të cilat ofrojnë siguri”.

Pezullimi ka fuqi deri në momentin që institucionet përgjegjëse të kryejnë inspektimin e godinave dhe të garantojnë eleminimin e rrezikut nga godinat. “Kohëzgjatja e pezullimit, parashikuar në pikën 1 të këtij vendimi, të jetë deri në momentin kur autoritetet përgjegjëse të bëjnë vlerësimin e kushteve ekzistuese të riskut të ambienteve të gjykatës dhe të garantohet eliminimi i çdo rreziku të mundshëm që mund çojë në dëmtim të jetëve njerëzore ashtu dhe të pronës”, thuhet ndër të tjera në vendimin e KLGJ.




Skip to toolbar