Pezullohet puna e gjykatave në Durrës, Tiranë e Lezhë

Dëmtimeve nga tërmeti nuk i kanë shpëtuar as godinat dhe instutucionet publike. Veç shkollave, çerdheve, godinave qeveritare, janë dëmtuar edhe godina të sistemit të drejtëisë. Në Tiranë, Durrës dhe Lezhë, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi pezullimin e punës së gjykatave deri në inspektimin e plot të godinave nga specialistët.

“Pezullimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në gjykatat të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tyre në qarqet Durrës, Tiranë dhe Lezhë, për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të ndodhur nga tërmeti i datës 26.11.2019”, thuhet në vendim.

Ndërkohë, KLGJ shton se: “Përjashtohen nga efektet e këtij pezullimi veprimtaria dhe shërbimet gjyqësore, që lidhen me çështje me natyrë të ngutshme, shqyrtimi i të cilave mund të zhvillohet edhe në ambiente të tjera jashtë gjykatës të cilat ofrojnë siguri”.

Pezullimi ka fuqi deri në momentin që institucionet përgjegjëse të kryejnë inspektimin e godinave dhe të garantojnë eleminimin e rrezikut nga godinat. “Kohëzgjatja e pezullimit, parashikuar në pikën 1 të këtij vendimi, të jetë deri në momentin kur autoritetet përgjegjëse të bëjnë vlerësimin e kushteve ekzistuese të riskut të ambienteve të gjykatës dhe të garantohet eliminimi i çdo rreziku të mundshëm që mund çojë në dëmtim të jetëve njerëzore ashtu dhe të pronës”, thuhet ndër të tjera në vendimin e KLGJ.

Gjykatat u japin mandatin bashkiakëve të rinj

Pas Gledian Llatjas në Elbasan, Gjykatat në vend kanë konfirmuar mandatet e bashkiakëve të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, edhe për tre të zgjedhur të tjerë vendor. Kastriot Gurra në Librazhd, Armando Subashi në Fier dhe Redjan Krali në Kavajë, janë ligjëruar si kryetar të ligjshëm përkatësisht nga Gjykata e Elbasanit, Fierit dhe Kavajës. Në këtë mënyrë, nëpërmjet verdiktit gjyqësor, pas vendimit të KQZ, të zgjedhurit nga procesi elektoral i 30 qershorit, njihen zyrtarisht si kryetarët e rinj të bashkive në vend.

Gjithashtu, njohja ligjore e tyre, rrëzon përfundimisht pretendimet e opozitës dhe presidentit për paligjshmërinë e procesit zgjedhor të 30 qershorit. Tre ditë më parë, opozita nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm Gazmend Bardhi, u bëri thirrje Gjykatave në vend, që të mos njohin mandatet e të zgjedhurve të rinj vendor, deri në krijimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila pritet të bëjë dhe një vlerësim të ligjshmërisë së 30 qershorit.

“Sipas ligjeve të vendit, që një kryebashkiak të marrë detyrën, mandati i tij duhet të vërtetohet nga gjykata, nëse është marrë në përputhje me Kushtetutën, nëse është fituar apo jo në zgjedhje të organizuara në mbështetje të Dekretit të Presidentit. Nëse gjyqtarët do të tregojnë integritet, do t’i binden ligjit dhe nuk do t’i nënshtrohen kërcënimeve me Veting apo me mjete të tjera mafioze, të përdorura më parë nga Edi Rama, vendimi i tyre është shumë i thjeshtë: të respektojnë kompetencën kushtetuese të Presidentit për të shpallur datën e zgjedhjeve”, tha Bardhi.

Ndërkohë, një ditë pas zgjedhjeve të 30 qershorit, kryesuesja e misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR, Audrey Glover u shpreh se “do të jenë autoritetet e vendit dhe gjykatat ato që do të bëjnë certifikimin e rezultatit zgjedhor”. Në fakt, vendimet e ditëve të fundit nga disa gjykata në vend, po i japin të drejtë mazhorancës dhe ndërkombëtarëve, që njohën si proces të ligjshëm zgjedhor atë të 30 qershorit, i përcaktuar sipas kornizës kushtetuese.

Skip to toolbar