Derbi në “Air Albania”, rrugët që bllokohen dhe masat për tifozët

AKTUALITET


Derbi Partizani-Tirana do të luhet në orën 17:00 të së enjtes në stadiumin “Air Albania”, të ardhurat e të cilës do të jepen për pasojat e tërmetit tragjik të 26 nëntorit. Por, zhvillimi i kësaj ndeshje në “Air Albania” ka sjellë kufizim të disa rrugëve në kryeqytet, me qëllim mbarëvajtjen e saj.

Masat e marra nga Policia e Tiranës konsistojnë në sigurimin e rendit dhe sigurisë publike, në të gjithë territoret jashtë stadiumit dhe në të gjitha rrugëkalimet. Policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimin e qarkullimit të mjeteve nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit, në segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara. Sipas policisë, nga ora 16:00 deri në përfundim të ndeshjes do të bllokohen Sheshi “Nënë Tereza”; Pjesë të segmentit të rrugës “Lek Dukagjini”; Rruga “Dervish Hima”; Përreth stadiumit “Air Albania” si dhe do të kufizohen rrugëkalimet gjatë kohës së kalimit të tifozëve të Partizanit dhe Tiranës.


Tifozët e Sport Klub Partizanit do të grumbullohen tek 21 Dhjetori dhe do të kalojnë në itinerarin për tek stadiumi “Air Albania” nga 21 Dhjetori, ura “Vasil Shanto”, kryqëzimi i rrugës “Komuna e Parisit”, rruga “Sulejman Delvina”, Libri Universitar, Presidenca drejt për tek COIN dhe hyrjet tek tribuna N dhe E të stadiumit.

Ndërsa tifozët e Klub Sport Tirana do të grumbullohen te Teatri i Kukullave dhe do të kalojnë në itinerarin për tek stadiumi “Air Albania” nga Ministria e Brendshme, Pedonalja, rruga “Xhorxh Bush”, Ura e Elbasanit, rruga e “Elbasanit”, Ambasada e SHBA-së, kthim në rrugën “Dervish Hima, kthim në rrugën “Sheh Ahmet Pazari” dhe deri te tribuna “S”.

Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e tifozerive respektive në zbatimin e detyrimeve të mësipërme, si dhe mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete në segmentet rrugore të lartpërmendura në oraret e caktuara.

Po ashtu, policia tha se do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve para hyrjes në stadium për sende të kundërligjshme (si armë apo lëndë piroteknike etj ). Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi. Nuk do të lejohen të futen në stadium fëmijët nën moshën 16 vjeç, pa praninë e prindërit apo kujdestarit.

Policia bën me dije se në rastet e prishjes së rendit dhe qetësisë publike do të ndërhyjë në ambientet e brendshme të stadiumit për rivendosjen e rendit dhe shoqërimin e shkelësve të ligjit në ambientet e Policisë për procedim penal apo administrativ. Ndaj shkelësve do të zbatohen me korrektësi dhe përgjegjësi kërkesat e akteve ligjore në fuqi.




Skip to toolbar