“Dikush vdiq para tyre”, detaje nga ngjarja e tmerrshme në qendrën tregtare në Milano

BOTA


Një person mbeti i vdekur, ndërsa 5 të tjerë u plagosën, mes tyre edhe mbrojtësi spanjoll i Monzës, Pablo Mari, pasi një person me probleme mendore sulmoi me thikë qytetarët në një qendër tregtare në Milano, pasditen e së enjtes.

Viktima ishte një 30-vjeçar i goditur me thikë, ndërsa futbollisti spanjoll u godit me grusht në fytyrë dhe më pas me thikë në shpinë. Ai u dërgua në spital, nga ku raportohet se është në gjendje të qëndrueshme. Ai u vizitua edhe nga Adriano Galliani, drejtori i Monzës, si dhe nga trajneri Palladino.


“Pablo Mari kishte një plagë mjaft të thellë në shpinë, e cila për fat të mirë nuk preku organet vitale si mushkëritë apo të tjera. Jeta e tij nuk është në rrezik, ai duhet të shërohet shpejt”, ka thënë Galliani për Sky Sport.

Për mediat spanjolle ka folur babai i futbollistit. Ai u shpreh se u informua rreth orës 20:00 për ngjarjen. “Nuk dija asgjë. Nuk po shihja televizor, ndërsa anëtarë të familjes filluan të më telefononin pa pushim. Zemra gati sa nuk më pushoi. Bashkëshortja e tij na tha se po e dërgonin në spital dhe asgjë më shumë, ndërsa na kërkoi që të mos e telefononim, pasi ajo ishte pranë tij dhe ndjehej mirë. Ajo pa dikë që të vdiste para tyre”, ka rrëfyer babai i futbollistit.




Skip to toolbar